Kosova nuk shkëlqen, por fiton në frymën e fundit kundër Armenisë - NACIONALE

Kosova nuk shkëlqen, por fiton në frymën e fundit kundër Armenisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kosova në konkurrencën e grave ka shënuar fitore me rezultat 2:1 kundër Arminisë në "Fadil Vokrri".

Gratë e Kosovës shfaqen një futboll të bezdisshëm, mjaft të zbehtë, edhe pse ekip rival ishte Armenia - që është tejet mediokre dhe nuk njeh rezultat pozitiv në arenë ndërkombëtare sa i përket ndeshjeve zyrtare qe një dekadë.

Të gjitha vështirësitë që ka Kosova u vunë re edhe në këtë sfidë. "Dardanet" ia dolën ta sigurojnë fitoren tek në çastet e fundit, pasi fillimisht u gjenden në një pozitë të disfavorshme, meqë kaluan në disavantazh, falë një gafe të pafalshme që ndodhi në mbrojtje.

Gjithsesi, në fund përzgjedhësja e Kosovës, Karin, iu gëzua fitores së parë prej që ka marrë përgjegjësin për t'i udhëhequr futbollistet kosovare. Me këtë fitore Kosova shkoi në kuotën e 7 pikëve, duke u renditur në pozitën e parafundit. Ndërkaq, Armenia s'ka asnjë pikë të grumbulluar deri më tani.

Raporti i ndeshjes

Kosova ishte më dominuese në fushë, edhe pse me raste Armenia pati disa dalje në gjysmëfushën e kombëtares nikoqire.

Në pjesën e parë, përkundër aksioneve që ndërtoi ekipi dardan, nuk arriti që ta zhbllonte rezultatin. Aksionet ishin të lexueshme dhe mungonin pasimet vertikale, të cilat do të mund t'i shpinin sulmueset kosovare në pozitë të përshtatshme për të shënuar.

Pjesa e parë u karakterizua me një nervozizëm me çaste të pakuptimët, si dhe me humbje kohe parreshtur nga rivalet armene.

Pjesa e dytë nisi me një ritëm të ngjashëm, ku Kosova përpiqej që të bënte çmos që ta thyente mbrojtjen kundërshtare, por që haste në vështirësi të madhe.

Kur më së paku pritej, në minutën e 77-të mysafiret kaluan në epërsi, falë një keqkuptimi që ndodhi në zonën e rreptësisë së Kosovës, me ç'rast portierës Leci i iku topi nga këmbët, pa e kontrolluar dot dhe - si rrjedhojë - përfundoi në rrjetë.

Gjithsesi, rezultati u barazua shumë shpejt, pas rreth 60 sekondave. Ishte Metaj ajo që konkretizoi siç ishte më së miri një rast të mirë shënimi.

Sulmet e Kosovës vazhduan. Tek në fund Halilaj shënoi golin për 2:1, i cili ngriti të pranishmit në këmbë, për t'ia mundësuar Kosovës fitoren e dytë në këtë fushatë kualifikuese dhe të dytë me radhë kundër Armenisë. Madje, fitorja e fundit ishte arritur pikërisht ndaj këtij rivali.

Kosova ndeshjen e fundit do ta luajë në udhëtim ndaj Polonisë, me fillim në ora 18:30. Shumë pak shpresa ka për "dardanet" që të dalin me pikë, marrë parasysh që polaket po luftojnë me Belgjikën për kreun e tabelës.

Lajme të ngjashme