Komuna e Prishtinës: Mirëmbajtja e “Fadil Vokrrit” është përgjegjësi e FFK-së
Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët se mirëmbajtja e stadiumit “Fadil Vokrri” është nën përgjegjësinë e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
“Fadil Vokrri” ishte në gjendje të tmerrshme në ndeshjen që Kosova zhvilloi ndaj Izraelit, ku një lojtar kundërshtar edhe e krahasoi me një “stallë derrash”.
Të menjëhershme ishin reagimet, ku disa prej tyre fajësuan Komunën e Prishtinës të cilët kanë njoftuar se e tërë përgjegjësia i shkon FFK-së.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
“Të nderuar qytetarë,
Gjatë ditës kanë qarkulluar informata të pasakta se mirëmbajtja e stadiumit “Fadil Vokrri” është në përgjegjësi të Kryeqytetit Prishtina, dhe se institucioni nuk është kujdesur për fushën e stadiumit.
Ju informojmë se mirëmbajtja e stadiumit të futbollit “Fadil Vokrri” nuk është përgjegjësi e Kryeqytetit Prishtina, por është obligim i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Kjo përgjegjësi është e rregulluar me nenin 3, paragrafi 1.3. të Memorandumit të Bashkëpunimit të lidhur ndërmjet Kryeqytetit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës me datën 30 dhjetor 2022.
Ne jemi të vetëdijshëm se stadiumi "Fadil Vokrri" është i mbingarkuar me lojëra ndërkombëtare të klubeve dhe të Kombëtares së Kosovës dhe rrjedhimisht është në gjendje jo të mirë,prandaj Kryeqyteti bashkë me Federatën e Futbollit të Kosovës është duke punuar tash e sa kohë për ndërtimin e stadiumit të ri të Kryeqytetit”.
Përndryshe, nuk dihet nëse të premten Kosova U21 do të përballet me Bullgarinë U21 në “Fadil Vokrri”, apo do të ndryshojë destinacion.