Kompania që prodhoi 18 mijë bluza me mbishkrimin “Anglia, fituese e Botërorit”, tani kërkon ndihmë
Një kompani angleze e quajtur “Wholesale Clearance UK”, ishte e bindur se “Tre Luanët” do ta fitonin Botërorin, andaj kishin vendosur të prodhonte 18 mijë bluza. Parashikimi i tyre nuk doli dhe tani po kërkojnë ndihmë.
Anglia u mposht në çerekfinale nga Franca me rezultat 2:1. Përkundër dëshpërimeve të njëpasnjëshme të kombëtares angleze në Botëror, tifozët e tyre sërish ishin të bindur që më në fund makthi do të thyhej. Sidoqoftë, Botërori i ri, zhgënjimi i radhës.
Kështu, duke besuar fuqimisht në suksesin e kombëtares së drejtuar nga Southgate, shoqata “Wholesale Clearance UK” kishte prodhuar 18 mujë bluza me mbishkrimin: “Anglia, fituese e Kupës së Botës 2022. Më në fund në shtëpi.”

Madje, edhe çmimet nuk ishin tërësisht me çmim modest. Ato kushtonin rreth 35 euro. Megjithatë, për fatin e keq të shoqatës angleze, Harry Kane gaboi penalltinë e dytë, e cila do të mund ta rikthente rezultatin në baraspeshë.
Kompania në hall
Pas eliminimit në çerekfinale të Anglisë, shoqata “Wholesale Clearance UK” ka kërkuar ndihmë dhe ka shfaqur tërë zhgënjimin e vet.
Vetë drejtori ekzekutiv i shoqatës ka pranuar zhgënjimin, duke marrë nismë që edhe çmimet e bluzave të zbresin trefish, duke kushtuar rreth 12 euro.
“Jam absolutisht i dërmuar pas eliminimit të Anglisë. Isha i ngazëllyer pas paraqitjes të kombëtares angleze në Katar dhe isha i sigurt se do ta fitonte Botërorin këtë vit”, tha Karl Baxter.

Ai shpjegoi edhe se si kishte ardhur deri te ideja për t’i prodhuar bluzat në fjalë, duke thënë se një ofertë që i ishte adresuar thjesht nuk mund ta refuzonte.
"Kur një furnizues më ka kontaktuar për t'i shitur bluzat, thjesht nuk mund t'i thoja jo. Mirëpo, tani më kanë mbetur 18 mijë bluzat me mbishkrimin që thonë se Anglia ka fituar Botërorin dhe nuk jam i sigurt se çfarë të bëj me to", u shpreh ai.

