The Telegraph: Anglia do të konsiderojë trajnerë të huaj nëse Gareth Southgate jep dorëheqje
Federata e Futbollit të Anglisë do të shqyrtojë kandidatët e huaj për të zëvendësuar Gareth Southgate nëse përzgjedhësi aktual vendos të jep dorëheqje nga posti i tij.
Kjo do të jetë një ‘motivim’ për ish-trajnerin e Tottenham Hotspur, Mauricio Pochettino dhe ish-trajnerin e Chelseat, Thomas Tuchel, të cilët janë të hapur ndaj perspektivës për të pasuar Southgate.
Southgate po konsideron të ardhmen e tij pas eliminimit së Anglisë nga Kupa e Botës kundër Francë, me FA të dëshpëruar që ai të qëndrojë dhe të rinovojë kontratën se paku deri dhjetor 2024.
FA janë detyruar të mendojnë të gjithë skenarët e mundshëm ndërsa presin të zbulojnë se çfarë do të vendosë Southgate, duke përfshirë mundësinë e punësimit të një pasuesi të huaj.
Sipas “The Telegraph” FA do të dëshironte të identifikonte një pasardhës të Southgate nga grupi më i gjerë i mundshëm i talenteve, duke përfshirë kandidatë të huaj si Pochettino dhe Tuchel.
Preferenca e FA mbetet e madhe që Southgate të vazhdojë në postin e tij dhe një gatishmëri për të marrë në konsideratë kandidatë të huaj nuk do të thotë që Pochettino ose Tuchel do të ishin automatikisht favorit për ta pasuar atë nëse ai tërhiqej.
Por, të udhëhequr nga shefi ekzekutiv i FA, Mark Bullingham dhe drejtori teknik John McDermott, i cili punoi me Pochettino në Tottenham, do të peshoheshin të mirat dhe të këqijat e të gjithë kandidatëve më të mirë, të huaj dhe anglezë.
Pochettino e pa Anglinë në Katar dhe konfirmoi interesimin e tij për të pasuar Southgate disa ditë përpara hapjes së Kupës së Botës kundër Iranit duke thënë: “Sigurisht, marrëdhënia ime me Anglinë ka qenë gjithmonë shumë e mirë.
“Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë me akademitë, duke u përpjekur të zhvillojmë lojtarë të rinj për ekipin kombëtar. Ndihem shumë rehat këtu. Asnjëherë nuk e dini se çfarë ndodh. Unë jam i hapur për gjithçka”.
I pyetur për trajnerët si Pochettino dhe Tuchel që janë të interesuar për ta pasuar atë, Southgate tha: "Shiko, ndoshta ne e kemi bërë [të pamundurën] të duket e mundur dhe është emocionuese për njerëzit e tjerë, dhe unë mund ta kuptoj këtë."
Edhe pse Pochettino dhe Tuchel kanë punuar në Premierligë me një mori lojtarësh të Anglisë, tashmë është e qartë se do të ketë kundërshtime nga jashtë për emërimin e një gjermani ose një argjentinasi për të marrë drejtimin e ekipit kombëtar.
Kufizimet financiare mund të kufizojnë kërkimin
FA ka emëruar dy trajnerë të huaj në të kaluarën, megjithëse, ndryshe nga Pochettino dhe Tuchel, as Sven-Goran Eriksson dhe as Fabio Capello nuk kishin menaxhuar më parë në Angli.
Një tjetër pengesë e mundshme për një lëvizje për tre nga kandidatët kryesorë, Pochettino, Tuchel ose irlandez verior Brendan Rodgers, do të ishin kufizimet financiare të Federatës Angleze.
Southgate besohet se fiton rreth 6 milionë funte në vit si trajner i Anglisë, që është 2 milionë funte më pak se Rodgers si trajner i Leicesterit.
Leicester, teorikisht, do të kishte kompensim prej rreth 8 milion funte për Rodgers, i cili ka një kontratë që zgjat deri në vitin 2025 dhe ai fiton të njëjtën shumë si një pagë vjetore.
FA nuk do të dëshironte të shkatërronte strukturën e tyre të pagave ose të paguante një faturë të madhe kompensimi për një përzgjedhës të ri, duke pasur parasysh krizën e kostos së jetesës dhe faktin se ata janë një organizatë jofitimprurëse.
Kjo mund të paraqesë gjithashtu një problem për Pochettino dhe Tuchel, edhe pse të dy trajnerët janë aktualisht pa punë.
Pochettino u pagua 10 milionë funte te PSG dhe një ofertë të tillë e kishte edhe nga Aston Villa, të cilën e refuzoi.
Stafi i argjentinasit gjithashtu kanë kërkesa me pagë rreth 2 milionë funte, prandaj ardhja e tij do të ishte mjaftë e vështirë.
Tuchel nga ana tjetër, po fitonte 8 milionë funte te Chelsea dhe nuk dihet nëse do të ishte i përgatitur ta pranonte ofertën e Anglisë për më pak para. Ai gjithashtu do të kërkonte pagë për stafin e tij, edhe pse thuhet se kërkesat e tij janë më të ulëta se të Pochettinos.
Mbetet të shihet nëse dy legjendat e Anglisë, Frank Lampard ose Steven Gerrard do të konsiderohen si pasues të mundshëm.
Gerrard momentalisht është i papunë pasi u shkarkua nga Aston Villa, derisa Lampard gjendet në kreun e Evertonit