Kombëtarja e Shqipërisë sot zhvillon miqësore në Arenën Kombëtare në Tiranë - NACIONALE

Kombëtarja e Shqipërisë sot zhvillon miqësore në Arenën Kombëtare në Tiranë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Shqipërisë sot do të takohet me Bullgarinë në një miqësore në Arenën Kombëtare në Tiranë, me ndeshjen që fillon në ora 18:00.

Kuqezinjtë po kalojnë në formë të jashtëzakonshme, ku tashmë kualifikimi i tyre në Kampionat Evropian mund të quhet i përfunduar, ndonëse jo matematikisht.

Të udhëhequrit e Sylvinhos e mposhtën 3:0 Çekinë në Air Albania Stadium, me dy gola të Taulant Seferit dhe një goli të mrekullueshëm të Jasir Asanit, për të mbajtur kreun e grupit E.

Meqë ndeshje kualifikuese më në tetor nuk ka Shqipëria, ata në agjendë kanë sot një takim miqësor me Bullgarinë, dhe sërish në Tiranë.

Kundërshtari i sotëm i kuqezinjve nuk po kalon fare në formë të mirë, pasi gjenden krejt në fund të grupit G në kualifikimet për EURO 2024, me dy barazime e katër humbje.

Padyshim, edhe pse miqësore, Shqipëria e Sylvinhos është favorite në këtë përballje, pasi rezultatet e periudhës së fundit janë në të mirë të tyre, vlera e skuadrës është larg më e madhe sipas transfermarkt, si dhe renditja në FIFA është në të mirë të Shqipërisë.

Pas kësaj përballje, lojtarët do të kthehen në skuadrat e tyre respektive, për t’u grumbulluar sërish në muajin nëntor, për t’i dhënë vulën e kualifikimit edhe matematikisht.

Në nëntor, Shqipëria udhëton te Moldavia me datë 17, ndërsa tre ditë më vonë, saktësisht 20 nëntor i pret Ishujt Faroe në Tiranë, me dy ndeshjet që llogariten të lehta për kuqezinjtë, të paktën në letër.

Lajme të ngjashme