Bullgaria ia miraton ShBA-së përdorimin e bazës ajrore për operacionet në Lindjen e Mesme
Kuvendi i Bullgarisë të mërkurën mbështeti një propozim qeveritar për t’ia lejuar ShBA-së shfrytëzimin e një baze ajrore në shtetin ballkanik për t’i mbështetur operacionet amerikane në Lindjen e Mesme, përderisa disa deputetë shprehën shqetësim për përfshirjen në luftën e Iranit.
Administrata e presidentit Donald Trump është përballur me refuzime nga shtete të tjera të Bashkimit Evropian për shfrytëzimin e bazave ajrore në mbështetje të luftës së saj me Iranin, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Deputetët bullgarë votuan me 136 vota “për” e 13 “kundër”, ndërsa vetëm dy abstenuan, duke lejuar deri në tetë aeroplanë rimbushës amerikanë të tipit KC-135 bashkë me 250 pjesëtarë personeli e pajisje mbështetëse në bazën ajrore “Bezmer” nga e premtja deri më 1 tetor. Për këtë masë nuk nevojiten miratime të tjera.
Sipas një marrëveshjeje të mbrojtjes mes Bullgarisë e Shteteve të Bashkuara, e nënshkruar në vitin 2006, baza “Bezmer”, e cila ndodhet rreth 260 kilometra në juglindje të kryeqytetit Sofje, është qendër për përdorim të përbashkët. Megjithatë, për secilën herë që ShBA-ja dëshiron ta përdorë bazën për një arsye të re, nevojitet miratimi nga Kuvendi i Bullgarisë.
Dislokimi i ri ushtarak vjen pas një kërkese nga Ambasada e ShBA-së në Sofje. Nuk pati koment të menjëhershëm nga Shtetet e Bashkuara të mërkurën.
Para votimit, kryeministri Rumen Radev deklaroi se “kategorikisht nuk bëhet fjalë për operacione ushtarake në Lindjen e Mesme që kryhen nga territori bullgar”.
Radevi tha në një takim qeveritar se “dislokimi i aeroplanëve rimbushës amerikanë në bazën ajrore “Bezmer” është vetëm për misione logjistike që e përfshijnë rimbushjen me karburant gjatë fluturimit, jashtë hapësirës ajrore bullgare”.
Ministri i Mbrojtjes, Dimitar Stoyanov, u tha ligjvënësve para votimit se ishin ndërmarrë të gjitha masat, edhe në rrafshin kombëtar, edhe brenda kornizës së aleatëve, për t’u siguruar që Bullgaria nuk do të përfshihet në asnjë konflikt.
“Ne kërkuam dhe morëm garanci nga partneri ynë strategjik me qëllim të minimizimit të rreziqeve ndaj sigurisë sonë kombëtare” – tha Stoyanovi./Nacionale