Kombëtarja e Kosovës U21 e nis mirë ciklin kualifikues Euro 2025, ‘Dardanët’ shënojnë fitore komode ndaj Estonisë
Kombëtarja e Kosovës U21 e ka nisur në mënyrën më të mirë ciklin kualifikues për Euro 2025, duke shënuar fitore komode ndaj Estonisë me rezultat 2:0.
Dardanët ishin më të mirë gjatë tërë takimit që u zhvillua në stadiumin Fadil Vokrri, me golat që erdhën njëri në pjesën e parë tjetri në pjesën e dytë.
Milot Avdyli tregoi kualitetet e tij, me një top shumë të bukur që dërgoi në zonën e rrezikshme, nga i cili aksion pak sekonda më vonë shënoi Arian Llugiqi për rezultatin 1:0 në minutën e 40-të.
Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërsa në 45 minutat në vazhdim ishte avazi i njëjtë, e Kosovën dominuese në fushë.
Fillimisht ishte një gol i anuluar për pozitë jashtë loje i qendërmbrojtësit Zumberi, që ishte mjaft e dyshimtë.
Por pak minuta më vonë, shoku i tij në vijën e mbrojtjes, lojtari i Interit i huazuar te Freiburg 2, Andi Hoti, shënoi për golin e sigurisë 2:0 në minutën e 70-të.
Deri në fund rezultati nuk ndërroi, vetëm Elvis Letaj la Kosovën me një lojtar më pak, pasi u ndëshkua edhe me kartonin e dytë të verdhë.
Kjo ishte vetëm ndeshja e parë për Kombëtaren e Kosovës në këtë cikël kualifikues dhe tani me këtë fitore pozicionohet e para, me ndeshjen e radhës që e zhvillon në muajin shtator, saktësisht me datën 8 ndaj Polonisë dhe pak ditë më pas ndaj Gjermanisë.