Klubi amator me ofertë qesharake për Ronaldon: Një byrek dhe një krikëll birre
Klubi amator Blyth Spartans ia ka bërë Manchester Unitedit një ofertë qesharake për t’ia hequr qafe Cristiano Ronaldon, duke i ofruar portugezit një byrek dhe një kriklle në ditë.
Koha e Ronaldos në United duket të ketë marrë fund para kohës, pasi klubi po mendon t’ia shkëpusë kontratën 37-vjeçarit për shkak të intervistës së tij bombastike për gazetarin Piers Morgan.
Në intervistë, Ronaldo i godet ashpër Manchester Unitedin, trajnerët Erik ten Hag dhe Ralf Rangnick, si dhe si bashkëlojtarët e vet Wayne Rooney dhe Gary Neville.
Unitedi doli me një komunikatë, ku e pranoi se është në dijeni për intervistën e Ronaldos dhe tha se do të reagojë ndaj saj “pasi të jenë mbledhur të gjitha faktet”.
Blyth Spartans, klubi që bën gara në kategorinë e gjashtë të futbollit anglez, e zgjodhi rrjetin social Twitter për t’u tallur me situatën e Ronaldos në United.
“Përshëndetje Manchester United. Kemi dëgjuar se Ronaldo po kërkon klub”, shkroi klubi anglez në Twitter.
“Do t’jua heqim atë nga duart për një byrek dhe një krikëll birre”, shtoi Blyth.

Çfarë tha Ronaldo në intervistën bombastike të dielën?
Ronaldo, 37 vjeç, tha gjatë intervistës së ndihet i tradhtuar nga Manchester Unitedi.
“Manchester United u përpoq të më detyronte të largohesha. Jo vetëm trajneri (Ralf Rangnick), por edhe njerëzit e tjerë që janë përreth klubit. U ndjeva i tradhtuar”, tha Ronaldo.
“Ndiej se disa njerëz nuk më donin në Manchester United, jo vetëm këtë vit por edhe sezonin e kaluar”.
Ai nuk ngurroi ta godasë edhe trajnerin e tanishëm të djajve të kuq, Ten Hag, duke e pranuar se nuk e respekton.
"Nuk kam respekt për të pasi ai nuk tregoi respekt për mua. Nëse nuk ke respekt për mua, asnjëherë nuk do të kam respekt për ty", shtoi Ronaldo.
Ronaldo kishte refuzuar të futej në lojë si zëvendësues kundër Tottenhamit dhe pastaj ishte larguar nga stadiumi para përfundimit të ndeshjes muajin e kaluar.
Unitedi po fitonte me dy gola epërsi, kur 37-vjeçari u largua drejt tunelit të stadiumit ende pa përfunduar ndeshja dhe si pasojë Ten Hag e largoi përkohësisht nga skuadra dhe e detyroi të stërvitej me ekipin e të rinjve.
Ronaldo u rikthye në Old Trafford në fillim të sezonit 2021/22, pasi ishte bindur nga ish-trajneri, legjenda Sir Alex Ferguson t’i ribashkohej klubit 12 vite pasi ishte larguar në drejtim të Real Madridit.
Sezoni i tij i dytë në United pas kthimit në klub, megjithatë, nuk ka shkuar sipas planit, pasi Ronaldo e humbi vendin e titullarit dhe u kritikua shumë për veprimet që bënte si pasojë.

