Klopp: Nuk ishim në ditën më të mirë - nuk mund të them se mesfusha është pika jonë më e dobët - NACIONALE

Klopp: Nuk ishim në ditën më të mirë - nuk mund të them se mesfusha është pika jonë më e dobët

1 vit më parë

nga NACIONALE

Jurgen Klopp në përfundim të ndeshjes që skuadra e tij barazoi 2:2 ndaj Fulham, është shprehur i zemëruar se si kanë rrjedhur gjërat.

Pasi Liverpool fitoi Superkupën e Anglisë kundër Manchester Cityt me rezultat 3:1, shumëkush mendoi se ata do ta kenë një kampionat shumë të mirë që nga fillimi.

Kjo teori ra poshtë me ndeshjen e sotme, ku Fulham për mrekulli ia nxori një barazim, e që me pak fat mund të dilte edhe me tri pikët e plota, sa për ta vërtetuar paraqitjen e tmerrshme që pati skuadra e Klopp.

Me Mitrovic që dukej i pakapshëm dhe ia bëri ditën ferr Van Dijkut, Klopp u detyrua që të pajtohej me një pikë në ndeshjen e parë në këtë edicion të ri të kampionatit 2022/2023.

Klopp nuk e pranon se mesfusha është pika e dobët e skuadrës

Në përfundim të ndeshjes kanë ardhur edhe deklaratat e trajnerit gjerman, teksa ka komentuar atë çfarë ngjau në Londër.

I pyetur nga gazetarët për mesfushën, e cila la shumë për të dëshiruar dhe është reparti më i kritikuar i Liverpoolit, Klopp dha versionin e tij.

"Nuk ishte dita jonë më e mirë, por ne kemi mesfushorë dhe ata janë të mjaftueshëm. Nuk është se çalojmë në mesfushë, por ideja është se disa prej tyre janë të lënduar. Kjo nuk është një situatë e mirë. Nuk më pëlqen në tërësi, por duhet të reagojmë në këto kushte. Sigurisht, pa u futur në panik"
, theksoi ai.

Ai ka mbrojtur edhe faktin se deri më tani klubi nuk ka bërë ndonjë blerje shtesë në mesfushë, duke thënë se disa skenare nuk mund të imagjinohen, si lëndimi i Jones ose ai i sotmi i Thiago, ku kohëzgjatja e rikuperimit akoma nuk dihet.

Së fundi, Liverpool gjithnjë është karakterizuar si një skuadër që grumbullon një mori pikësh në kampionat. Sidoqoftë, ato në dy nga tri kampionatet e fundit kanë dalur të jenë të pamjaftuehme, ngase për një pikë më shumë Manchester City ia ka arritur të stoliset me titullin kampion. Prandaj, në sytë e shumë njohësve të futbollit, pikërisht lëshimi i pikëve në ndeshjet si kjo e sotmja, bën dallimin mes Manchester Cityt dhe Liverpoolit.

Liverpool ndeshjen e radhës do ta luajë kundër Crystal Palace, në fushën e saj, në "Anfield", konkretisht më 15 gusht, në ora 21:00. Deri atëherë për Klopp ka shumë punë për të bërë, duke shpresuar që edhe rivalet ndërkohë të lëshojnë ndonjë pikë.

Lajme të ngjashme