Liverpooli e fillon me barazim sezonin e ri, Fulhami inspirohet nga serbi Mitrovic - NACIONALE

Liverpooli e fillon me barazim sezonin e ri, Fulhami inspirohet nga serbi Mitrovic

1 javë më parë

nga NACIONALE

Liverpooli nuk ka arritur më shumë se një barazim 2-2 si mysafir i Fulhamit në 'Craven Cottage', të shtunën në mesditë, në xhiron hapëse të Premier Ligës.

Londinezët ishin të parët ata që kaluan në epërsi përmes sulmuesit serb, Aleksandar Mitrovic, i cili shfrytëzoi një krosim brilant nga ana e djathtë nga Tete, duke kërcyer lart mbi Trent Alexander Arnold, për të shënuar me kokë në minutën e 32-të.

Tre minuta më vonë, pati një ndërprerje për disa momente, pasi Jordan Henderson mori një goditje dhe asistenca mjekësore ishte e nevojshme.

Mirëpo, mesfushori u duk në rregull të vazhdonte dhe loja rinisi tutje.

Në miutën e 39, Luis Diaz i Liverpoolit u fut në zonën kundërshtare në përkrahje të bashkëlojtarëve dhe, pasi pranoi një top fantastik, qëlloi nga afërsia, por topi goditi shtyllën. Mëkat, pasi do të ishte një gol brilant.


Deri në përfundim të pjesës së parë më nuk pati shumë për t'u komentuar, me gjyqtarin që i ra bilbilit për pushim pasi përfunduan dy minutave shtesë.

Pjesa e dytë filloi qetë, me "Të Kuqtë" që reaguan me dy ndryshime në minutën e 51-të, kur Harvey Elliot u inkuadrua në vend të Thiagos dhe Roberto Firmino u zëvendësua nga Darwin Nunez.

E ky i fundit i dha infuzion sulmit të skuadrës nga "Merseyside", duke shënuar golin e barazimit me një goditje brilante me thembër në minutën e 64-t, pas asistimit nga Mohamed Salah.

Goli u rishikua nga VAR dhe u konsiderua si i rregullt, "Të Kuqtë", në këtë pikë, ishin në pozitë të ndiqnin fitoren.

Dhe u mundua të shënonte të dytin në minutën e 69, kur Luis Diaz gjuajti nga brendësia e zonës, por goditja e tij u bllokua, për të fituar një këndore.

Në minutën e 71-të, Virgil van Dijk shkaktoi penallti pasi ndërhyri keq në Aleksandar Mitrovicin, me gjyqtarin Andy Madley që drejtoi gishtin nga 11-metërshi.

Edhe ky vendim u rishikua nga VAR dhe qëndroi, me Mitrovic që riktheu në epërsi Fulhamin duke qëlluar saktë nga penalltia.

Tutje, Liverpooli kreu edhe zëvendësimin e tretë, kur Luis Diaz u largua për t'i liruar vend Fabio Carvalhos në minutën e 78.

Salah ishte ai që arriti të barazonte dhe të shlironte fansat e Liverpoolit në minutën e 80, kur shfrytëzoi një pasim në zonë për të qëlluar në qoshen e poshtme të djathtë të potës.

Tutje më gola nuk pati, pavarësisht pesë minutave të shtesës.

Kështu, Liverpooli e fillon me barazim sezonin e ri në Premier Ligë.

Lajme të ngjashme