Klopp: Man. City financohet nga tregu milionësh i naftës dhe bën çfarë të dojë, ndërsa ne nuk mundemi
Jurgen Klopp ka zgjedhur ankesat në vigjilje të ndeshjes kundër Manchester Cityt. Trajneri gjerman vuri theksin te fuqia buxhetore e Manchester Cityt, të cilën ka thënë se nuk e ka klubi i tij.
Sfidat mes Liverpoolit dhe Manchester City kanë ditur të jenë mjaft të nxehta gjatë këtyre viteve. Jurgen Klopp ka qenë trajneri që më së shumti i ka prishur llogari Pep Guardiolas në ndeshjet direkte.
Skuadra nga Merseyside në këtë fillim sezoni po vuan nga një krizë e rëndë në kampionat. Gjatë sezoneve të fundit ka qenë pikërisht ajo antagonistja kryesore e Manchester Cityt, por gjërat në këtë vit duken se qëndrojnë më ndryshe.
Jurgen Klopp meritat për këtë ecuri të Manchester Cityt e sheh nga pikëpamja financiare dhe mundësitë e mëdha që ka në këtë aspekt klubi rival.
“Askush nuk mund të garojë me Manchester Cityn”
Jurgen Klopp nuk ka zgjedhur lojëra fjalësh për t’u përgjigjur gazetarëve në konferencë për shtyp rreth dallimeve mes skuadrës së tij dhe asaj të Manchester Cityt.
“Nuk do të ju pëlqej që ta dëgjoni, por e vërteta është se askush në Premierligë nuk mund të garojë me Manchester Cityn. Është një klub i financuar nga milionat e tregut të naftës. Nevojitet një kampionat në vete në të tilla raste. Mund të bëjë çfarë të dojë, pa marrë parasysh ‘Financial Fair Play’. Nëse i pëlqen një lojtar, nuk ka lidhje se sa kushton, e blen dhe kaq”, tha ai.

Te gatishmëria financiare Kloppi insiston se ka një dallim substancial, edhe pse theksoi se me këtë qasje Manchester City nuk bën asgjë jo legjitime.
“Ne nuk mund të veprojmë me këtë qasje. Askush nuk thotë se është jo legale, por kështu qëndrojnë gjërat. Ata do të mundohen që të arsyetohen, por kështu është e vërteta”, vazhdoi Klopp.
Trajneri gjerman përmendi edhe një klub tjetër në këtë kontekst të fuqisë financiare: “Te Newcastle dikush ka thënë se nuk kanë një tavan sa i përket çështjes financiare. Përgëzime atyre. Ne duhet t’i bëjmë llogaritë edhe me këtë gjë."
Nëse flasim për gjendjen fizike të lojtarëve të Liverpoolit, një kokëçarje e madhe që mund t’i lindë Kloppit është Konate, i cili me shumë gjasë rrezikon që ta humbasë ndeshjen e nesërme ndaj Manchester Cityt.
Kjo do të ishte një mungesë e madhe nëse kemi parasysh faktin se edhe Matip nuk do të mund të luajë në krah të Van Dijk.

