FC Besa mohon lajmet se është pranë shuarjes
KF Besa me anë të një kumtese për medie ka demantuar kategorikisht lajmet e djeshme se është afër shuarjes për shkak të krizës financiare.
Tri herë fituesja e Superligës së Kosovës, FC Besa, ka marrë vëmendjen kryesore të shtypit sportiv kosovar gjatë ditës së djeshme, pasi u raportua që shuarja është thuajse çështje e kryer.
Sidoqoftë klubi pejan është përkujdesur që me anë të një kumtese publike të sqarojë gjithçka, duke hedhur poshtë aludimet mediale se gjërat qëndrojnë aq keq, sa klubi të bankrotojë.
Në deklaratën e tyre thuhet se klubi është i regjistruar për garat e sezonit 2022/2023 dhe kështu do të mbetet edhe në ditët në vijim.
Deklarata e plotë e Besës
FC Besës i është dashur një ditë që ta përgatisë një komunikatë për shtyp, ku pasqyron të vërtetën bazuar në interpretimin e vet.
"Pas shumë raportimeve dhe komenteve të rrejshme nga medie të ndryshme vendore, po detyrohemi të dalim me disa sqarime:
1. FC Besa është e regjistruar pranë FFK-së për garat e sezonit 2022/'23;
2. FC Besa nuk do të shuhet;
3. FC Besa është duke u ballafaquar me probleme financiare serioze dhe kontributi i secilit dashamirës të klubit, në çfarëdo forme, është i mirëseardhur;
4. Burimet e vetme të informacioneve zyrtare janë dhe do të mbeten kanalet zyrtare të klubit në rrjetet sociale.
Me respekt, Besa", thuhet në komunikatën për shtyp të klubit pejan.

Çfarë tha për Gazetën Nacionale ish-legjenda e klubit?
Mensur Duraku nuk ka zgjedhur gjuhën diplomatike për t'u prononcuar rreth katandisjes së ish-klubit të tij, Besës. Nga zemërimi dhe dëshpërimi i madh, prononcimi i tij dhënë për Gazetën Nacionale doli të jetë shumë i vrazhdë.
"Çka të flas? Turp u qoftë atyre që e sollën klubin në atë gjendje. Duhet të hyjnë në burg", deklaroi Mensur Duraku për Gazetën Nacionale.
Sado që prononcimi ishte i shkurtër, ai ishte mjaft domethënës dhe një tregues i qartë për mërinë e thellë që e ndiejnë njerëzit që kanë qenë kontributdhënës në raport me atë çfarë i kanë dhënë klubit ndër vite
Për krejt këtë konjukturë njerëzish, katrahura në të cilën po kalon Besa është e pafalshme, marrë parasysh edhe rolin që e ka pasur në futbollin e Kosovës, duke i fituar tre tituj kampion, sa për të qenë edhe klubi i dytë më trofeshëm në Superligën e Kosovës, së bashku me Feronikelin dhe Dritën.
Problemet e mëdha ekonomike, mungesa e sponsorëve – mospagesat ndaj futbollistëve, ndikuan që edicionin e kaluar të bien në Ligën e dytë të Kosovës, ku do të garojnë në sezonin tjetër 2022/23.