KATAR 2022 | Uruguai dhe Koreja Jugore pajtohen me nga një pikë
Kombëtarja e Uruguait dhe Koreja Jugore janë pajtuar me një barazim, në kuadër të xhiros së parë të fazës së grupeve në Kupën e Botës "Katar 2022".
Pavarësisht një lojë të tërë, asnjëra skuadër nuk arriti t'i finalizojë aksionet me rezultatin përfundimtar që doli të jetë 0:0.
Koreja Jugore dominoi më shumë gjatë pjesës së parë duke pasur disa raste të mira, por që nuk i konkretizuan.
Ui-Jo Hwang kishte një shans të mirë nga afërsia, por goditja e tij përfundoi mbi portë.
Në përfundimin e pjesës së parë, Uruguai ishte pranë të kalonte në epërsi me anë të Diego Godin, i cili me kokë goditi shtyllën (43').
Ndërkohë, gjatë 45-minutëshit të dytë loja ishte shumë më e hapur dhe e zhvilluar në mesfushë, ku nuk kishte ndonjë rast të rrezikshëm.
Në fakt, Darwin Nunez kishte disa mundësi të mirë shënimi por dështoi keq nga afërsia.
Vlen të ceket edhe goditja e bukur e mesfushorit Federico Valverde që ishte pranë të shënonte në fund duke goditur shtyllën (90').
Në anën tjetër, edhe Heung-min Son gjithashtu provoi nga distanca por edhe goditja e yllit të Tottenhamit përfundoi jashtë portës.
Kështu, Uruguai dhe Koreja Jugore ndajnë pikë në grupin H, duke ndarë përkohësisht kreun e tabelës.
Me fillim nga ora 17:00, do të nis ndeshja e dytë e këtij grupi mes Portugalisë dhe Ganës.
Në anën tjetër, xhiron e radhës Uruguai do të përballet me Portugalinë, derisa Koreja Jugore ndaj Ganës.