KATAR 2022 | Livakovic bën heroin, Kroacia eliminon Japoninë nga Kupa e Botës pas penalltive
Kroacia është bërë kombëtarja e radhës që ka siguruar kualifikimin në çerekfinale, duke eliminuar Japoninë pas 11-metërshave.
Ndeshja mes dy kombëtareve doli të jetë mjaftë e hapur, me epilogun përfundimtar në kohën e rregullt dhe vazhdimet që doli të jetë 1:1, por në penallti fituan 3:1 me rezultat.
Japonia e nisi shumë më mirë pjesën e parë duke pasur disa raste të njëpasnjëshme. Fillimisht, Shogo Taniguchi provoi nga afërsia.
Pastaj, Kroacia kishte një mundësi të mirë përmes Ivan Perisic, por Shuichi Gonda bëri një pritje të bukur që t'ia mohojë golin.
Sidoqoftë, falë atij dominimi të madh, Japonia arriti të kalojë në epërsi përmes Daizen Meada që përfitoi nga një top i kthyer duke realizuar nga afërsia (43').
Në pjesën e dytë, Kroacia nisi të rrezikojë më shumë dhe arriti ta barazojë rezultatin me anë të Ivan Perisic, që shënoi nga një distancë me kokë për të lënë gjithçka të hapur.
Deri në fund të dy kombëtaret kishin disa raste shënimi, mirëpo nuk gjetën rrugën drejtë rrjetës.
Ndeshja fillimisht shkoi në vazhdime, por prapëseprapë nuk është që arritën t'i finalizojnë, andaj fituesi u vulos nga pika e bardhë.
Në 11-metërsha më të mirë u treguan kroatët duke fituar në fund me rezultat 3:1, pasi tek Japonia, Minamino, Mitoka dhe Yoshida dështuan nga pika e bardhë.
Kështu, Kroacia avancon në çerekfinale, ku do të takohet me fituesin e ndeshjes Brazil - Kore Jugore.