KATAR 2022 | Kroacia stoliset me medalje të bronztë, e mposht Marokun në ndeshjen për vend të tretë
Kombëtarja kroate ka arritur ta mposhtë Marokun me rezultat 2:1 dhe kështu ka zënë vendin e tretë në Kupën e Botës në Katar, për t’u stolisur të paktën me medalje të bronztë, pas një rrugëtimi shumë të mirë përgjatë një muaji.
Në fakt dy skuadrat bënë befasi në këtë kampionat. Maroku eliminoi dy skuadra të forta si Spanja e Portugalia, për të arritur në gjysmëfinale, ndërsa Kroacia e mposhti favoritin Brazilin.
Ballkanasit humbën në gjysmëfinale nga Argjentina duke u mposhtur me rezultat 3:0, ndërsa marokenët u mposhtën 2:0 nga Franca.
Kroacia që në Botërorin e vitit 2018, ishte shumë afër që sërish të arrinte në finale, por tani u mjaftua me vendin e tretë.
Sa i përket ndeshjes, skuadra e udhëhequr nga Zlatko Dalic, ishte më e mirë në ndeshje, duke pasur lojën nën kontroll gjatë gjithë ndeshjes.
Tri golat e takimit u shënuan në pjesën e parë, ndërsa në 45 minutat e dytë munguan rastet dhe si rrjedhojë edhe golat.
Josko Gvardiol ishte ai që kaloi Kroacinë në epërsi vetëm pas shtatë minutash lojë, pas një aksioni të bukur që u shndërrua në gol me kokë nga mbrojtësi, pas harkimit të Perisic.
Nuk vonoi goli i barazimit nga Maroku për rezultatin 1:1, ku edhe kësaj radhe shënoi një mbrojtës dhe përsëri me kokë, në minutën e nëntë të takimit.
Pak minuta para se skuadrat të shkonin në pushim, në skenë doli Mirslav Orsic i Kroacisë, për t’ia sjellë kombëtares së tij epërsinë për herë të dytë në këtë ndeshje për rezultatin 2:1, që ishte vërtetë një gol i mrekullueshëm dhe doli të ishte goli i epilogut final.
Kështu dy kombëtaret përfundojnë këtu një ecuri fantastike, duke marrë zemrat e tifozëve anembanë botës.
Kujtojmë se finalja e Botërorit zhvillohet nesër me fillim nga ora 16:00 mes Argjentinës e Francës në Lusail Stadium, aty ku Lionel Messi synon ta përmbyll karrierën ndërkombëtare me trofeun e vetëm që i mungon në sirtarin e tij.
Përmbledhja e ndeshjes Kroaci - Maroku:

