KAS-i thotë se s’është në kompetencën e tij të vendosë për padinë e federatave ndaj Komitetit Olimpik - NACIONALE

KAS-i thotë se s’është në kompetencën e tij të vendosë për padinë e federatave ndaj Komitetit Olimpik

3 vjet më parë

nga Ekrem Idrizi

Këshilli i Arbitrazhit Sportiv (KAS) ka vendosur se nuk është në kompetencën e tij të marrë vendim për padinë e disa federatave sportive ndaj Komitetit Olimpik të Kosovës, ka konfirmuar për Gazetën Nacionale kryetari i këtij organi, Eroll Salihu.

Në gusht, 13 federata sportive e paditën KOK-un në KAS – cili funksionin nën ombrellën e vet Komitetit Olimpik – duke e akuzuar për shkelje dhe parregullsi gjatë Asamblesë së fundit më 30 mars.

Por pas rreth dy muajve të shqyrtimit të padisë, KAS-i vendosi që nuk i përket atij të marrë ndonjë vendim mbi çështje të tilla.

I pyetur nga Gazeta Nacionale për vendimin e KAS-it, Salihu tha: “KAS-i nuk mund ta shqyrtojë këtë, për arsyeje se në statutin e ministrisë është se në raste të tilla ministria e formon një grup ekspertesh. Në bazë të ligjit ministria është e vetmja që e mbikëqyr punën e federatave.”

A ka mundur në të vërtetë KAS-i ta zgjidhë këtë çështje?

Padia ka të bëjë me një mosmarrëveshje brenda KOK-ut, pra federatave anëtare dhe Komitetit Olimpik në lidhje me ligjshmërinë e Asamblesë së Punës të mbajtur në mars të këtij viti.

Dhe, sipas KOK-ut, misioni i Këshillit të Arbitrazhit Sportiv “është zgjidhja e mosmarrëveshjeve në fushën e sportit nëpërmjet arbitrazhit.”

Po ashtu, sipas nenit 10 të KOK-ut, “çdo pakënaqësi e ngritur brenda KOK-ut ose KOK-ut dhe anëtarëve të tij e ndërlidhur me sport ose çështje institucionale do të zgjidhet nga vetë organet drejtuese kompetente të KOK-ut, apo jashtë në gjykatat e zakonshme.”

KAS-i e shpalli veten jokompetent për ta zgjidhur këtë çështje.

Delegatët e federatave të notit, xhudos, peshëngritjes, karlingut, skermës, lundrimit, autosporteve, kikboksit, motoçiklizimit, çiklizmit, aeronautikës dhe taekwondos, e akuzuan KOK-un se në mbledhjen e fundit të saj më 30 mars e shkeli protokollin e punës, futi në votim njerëz që nuk ishin delegatë të emëruar.

Gjatë asaj mbledhjeje, sipas tyre, 31 delegatë e lëshuan sallën si pasojë e pakënaqësive.

Duke folur në emër të delegatëve të KOK-ut në konferencën e gushtit, Shasivar Haxhijaj – dikur sekretar i përgjithshëm i KOK-ut – e quajti të paligjshme asamblenë e marsit.

“Është e pamundshme të kundërshtosh kur ke video ku shihet duke votuar delegati që ende nuk është bërë anëtar i KOK, ai e çon dorën. 54 veta kanë votuar për rend dite, në sallë ishin 105 delegatë, prej të cilëve 7 që nuk kanë pasur të drejtë vote. E tërë asambleja e KOK është e paligjshme. Ajo duhet të përsëritet”, kishte thënë Haxhijaj.

Në mesin e delegatëve pjesëmarrës në padinë ndaj KOK-ut është edhe kryetari i Federatës së Xhudos të Kosovës, Agron Kuka. Xhudo është federata kryesore në vend në bazë të kategorizimit të sportit që e bën KOK-u.

Lajme të ngjashme