Kapiteni i Feyenoordit refuzoi ta barte shiritin me ngjyrat e ylberit, për shkak të fesë
Kapitni i Feyenoordit, Orkun Kokcu, vendosi të mos e barte shiritin me ngjyra të ylberit për ndeshjen e skuadrës së tij kundër AZ Alkmaar në ligën elitare holandeze Eredivisie të dielën pasdite.
Para përballjes mes me Alkmaarin, Feyenoordi njoftoi se Kokcu nuk do ta barte shiritin me ngjyra të ylberit për arsyeje personale.
“Kam vendosur të mos e bart shiritin e kapitenit me ngjyra të ylberit për këtë xhiro të ligës”, tha Kokcu për uebsajtin e klubit.
De persoonlijke uitleg hierover lees je in ons Matchcenter:#azfey
— Feyenoord Rotterdam (@Feyenoord) October 16, 2022
“Mendoj se është e rëndësishme të nënvizoj se unë i respektoj të gjithë pavarësisht fesë, të kaluarës apo preferencave të tyre. Besoj se të gjithë janë të lirë të bëjnë çfarë të duan apo ndiejnë. E kuptoj plotësisht rëndësinë e këtij veprimi, por për shkak të besimit në fenë time, unë nuk jam personi i duhur për ta përkrahur këtë”.
Ai shtoi: “Prandaj, unë nuk ndihem rehatshëm ta bart këtë shirit kapiteni. Mund ta paramendoj se disa njerëz janë të zhgënjyer me mua. Ky nuk është aspak qëllimi im, por shpresoj se vendimi im për arsyeje fetare do të respektohet ashtu”.
Si pasojë, shiritin e kapitenit e barti qendërmbrojtësi austriak, Gernot Trauner.
Shiriti i kapitenit me ngjyra ylberi bartet në futboll për ta rritur vetëdijesimin dhe përkrahjen për komunitetin LGBTQ+, para Kupës së Botës 2022 që nis muajin e ardhshëm në Katar.

Kapitenët e disa kombëtareve, përfshirë Granit Xhakën e Zvicrës, do ta bartin shiritin e kapitenit me ngjyra ylberi dhe me mbishkrimin “një dashuri” gjatë Botërorit, megjithëse FIFA ende nuk e ka dhënë lejen për këtë ende.
Shiriti i kapitenit “një dashuri” përdoret për të promovuar shumëllojshmërinë, gjithpërfshirjen dhe për ta kundërshtuar diskriminimin.
Në Katar marrëdhëniet mes gjinive të njëjta janë të ndaluara dhe promovimi i tyre është i kriminalizuar.