Juventusi lëshon komunikatë zyrtare pasi FIGC shpjegoi dënimin me -15 pikë - NACIONALE

Juventusi lëshon komunikatë zyrtare pasi FIGC shpjegoi dënimin me -15 pikë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Juventusi ka konfirmuar se do të apelojë kundër dënimit prej 15 pikësh dhe këmbëngul se dokumenti i ofruar nga Gjykata e Apelit të Federatës italiane sot është i palogjikshëm, ka mangësi provash dhe pa bazë ligjore.

“Klubi i Futbollit Juventus dhe ekipi i tij ligjor kanë lexuar me kujdes dhe do të analizojnë në thellësi arsyetimet, të publikuara së fundmi, në lidhje me vendimin e Seksioneve të Bashkuara të Gjykatës Federale të Apelit”, thuhet në një deklaratë të bardhezinjve.

“Është një dokument, i parashikueshëm në përmbajtje, në kuptimin e vendimit të rëndë, por ka përmbajtje të palogjikshme të dukshme, mangësi motivuese dhe i pabazuar në aspektin ligjor, të cilin klubi dhe individët do ta kundërshtojnë me një ankim në Bordin e Garancisë në CONI brenda afateve të përcaktuara.

“Vlefshmëria e arsyeve të Juventusit do të pohohet me vendosmëri, me gjithë respektin e institucioneve që e kanë nxjerrë atë shpjegim.”

Gjykata e Apelit e FIGC ka publikuar sot një dokument prej 36 faqesh për të shpjeguar se përse zonjës së vjetër iu janë hequr 15 pikë për sezonin aktual.

Çështja e Juventusit u rihap pasi bardhezinjtë u pastruan nga akuzat së bashku me klubet e tjera italiane vitin e kaluar.

Provat e reja të mbledhura nga Prokurori i Torinos në një hetim penal për kontabilitet të supozuar të rremë u përdorën nga prokurori i FIGC, Giuseppe Chinè, duke çuar në një dënim me 15 pikë për 36 herë kampionët e Serie A-së.

Dokumenti i ofruar nga FIGC thekson se si Juventusi dhe disa nga drejtorët e tyre aktualë dhe të mëparshëm përdorën sistematikisht vlerat e transferimeve të fryra artificialisht për të balancuar librat financiar. Gjykata e FIGC përmend gjithashtu marrëveshjet e shkëmbimit të përfunduara me Barcelonën dhe Manchester Cityn nga ish-drejtori Fabio Paratici.

Brenda 30 ditëve, Juventus do të paraqesë një apel në CONI Collegio Di Garanzia , i cili ose mund të konfirmojë vendimin e FIGC ose të pranojë ankesat e Juventusit për anulimin e zbritjes prej 15 pikësh.

Lajme të ngjashme