Juventus fiton garën ndaj Interit për Bremer, arrin marrëveshje me Torinon - NACIONALE

Juventus fiton garën ndaj Interit për Bremer, arrin marrëveshje me Torinon

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Juventus ka arritur që ta parakalojë Interin në garën për t'i siguruar shërbimet e mbrojtësit Gleison Bremer.

Fillimi i kësaj jave, gjegjësisht dita e djeshme, planifikohej të ishte koha e duhur kur Inter kishte ndërmend që t'i finalizonte negociatat me Torinon për ta blerë kartonin e mbrojtësit Bremer.

Gjërat nuk shkuan sipas planifikimeve të klubit zikaltër, pasi presidenti i Torinos, Urbano Cairo, insistoi që të inkasonte sa më shumë para nga shitja e mbrojtësit brazilian, i cili gjatë sezonit të fundit kishte zhvilluar paraqitje të shkëlqyera.

Kësisoj, Inter nuk ka dashur që negociatat për Bremer t'i shndërrojë në një ankand, ku do të rritej çmimi i ofertës.

"Zonja e vjetër" nuk ka përtuar që ta vëzhgojë situatën me kujdes. Sidomos pas largimit të De Ligt në drejtim të Bayern, ekipi i Allegrit u fut në një emergjencë të thellë në mbrojtje.

Oferta e Juventusit e pranuar nga Torino

Sipas njohësit të afatit kalimtar të lojtarëve, Gianluca Di Marzio, sot dy klubet torineze kanë arritur marrëveshje.

Juventus kishte bërë një ofertë konkrete në drejtim të Torinos. Bëhej fjalë 40 milionë euro, plus 7 milionë euro tjera bonuse.

Pa humbur shumë kohë Torino e ka pranuar këtë ofertë. Në këto orë tani ka filluar hapi i radhës, ai i bisedimeve mes agjentëve të lojtarit dhe drejtuesve të Juventusit për ta gjetur gjuhën e përbashkët rreth kushteve personale.

Inter kishte ofruar shumë më pak. Klubi zikaltër dëshironte t'i siguronte shërbimet e mbrojtësit 25-vjeç përmes një oferteje prej 30 milionë euro, plus bonuse dhe kartoni i Casadei.

Nga mediet dhe opinioni publik po konsiderohet që Inter në 24 orët e fundit humbi dy lojtarë të rëndësishëm, të cilët shpresonte t'i kishte në radhët e veta për edicionin e ri: me Dybalan që zgjodhi Romën, ndërsa Bremer që është një hap Juventusit.

Torino e ka parë më të leverdishme ta pranojë ofertën e Juventusit. Nëse lojtari do t'i pranojë kushtet e klubit të udhëhequr nga Agnelli, atëherë ai shumë shpejt do të zyrtarizohet si lojtar juventin.

Lajme të ngjashme