Inter shpejton hapat, afër marrëveshjes me Torinon për Bremer
Me Skriniar, i cili është afër kalimit te PSG, Inter po mendon që ta gjejë sa më par| zëvendësuesin e tij. Emri i përzgjedhur është Gleison Bremer.
Për gazetarin e mirënjohur, si dhe njëherit ekspertin e transferimit të lojtarëve, Gianluca Di Marzio, tashmë Inter dhe Torino kanë afruar ndjeshëm pozicionet e tyre, në lidhje me negociatat që po ndodhin për afrimin e Bremer te klubit zikaltër.
Mbrojtësi 25-vjeç ka spikatur me paraqitje të mahnitshme gjatë sezonit të fundit. Ndoshta mund të llogaritet si mbrojtësi me rendimentin më koherent në edicionin 2022/2023.
Ai ishte dje në fushë me Torinon, kur zhvilloi miqësoren e parë të fazës përgatitore kundër Eintracht. Por, me shumë gjasë ajo mund të ketë qenë ndeshja e tij e fundit me klubin torinez, pasi shumë shpejt pritet të jetë përforcimi i radhës i nënkampionit italian.
E hëna ditë vendimtare
Drejtuesit e dy klubeve kanë rënë dakord që të takohen gjatë ditës së hënë, ku do të përpiqen që ta finalizojnë marrëveshjen.
Në fakt, takimi do të jetë tri-palësh, pasi aty do të marrë pjesë edhe agjenti i mbrojtësit brazilian.
Epilogu përfundimtar pritet të jetë një dritë jeshile, ku do të kompletohej i gjithë transferimi për një shifër rreth 35 milionë eurove, disa bonuse tjera, si dhe lojtari Casadei që mund të jetë pjesë e këtij negocimi.
Inter dëshiron që sa më parë ta mbyllë këtë çështje, për arsye se gjithmonë ekziston rreziku që edhe Juventus të përfshihet edhe më konkretisht në garë për ta siguruar mbrojtësin e Torinos.
Para katër vitesh Bremer u transferua në Torino për 5 milionë euro nga skuadra braziliane e Atletico Mineiro.
Ardhja e trajnerit kroat, Ivan Juric, i dha atij një rritje të theksuar të përformancës, ku me lidershipin në mbrojtje u bë makth për shumicën e sulmuesve në Serie A gjatë sezonit paraprak.

