E kryer, Juventus dhe Bayern Munich arrijnë marrëveshje të plotë për Matthijs de Ligt - NACIONALE

E kryer, Juventus dhe Bayern Munich arrijnë marrëveshje të plotë për Matthijs de Ligt

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Juventus dhe Bayern Munich kanë arritur marrëveshje të plotë për shërbimet e qendërmbrojtësit Matthijs de Ligt.

Holandezi do të largohet nga skuadra italiane brenda javëve të ardhshme duke nënshkruar për pesë vite me gjigantin gjerman.

Pas disa javëve negociata, "Bild" më saktësisht kryeredaktori i saj Christian Falk ka konfirmuar se marrëveshja e plotë tashmë është arritur.

"E vërtet. Marrëveshje e kryer. Juve pranoi ofertën e FC Bayern. Matthijs de Ligt do të nënshkruajë deri më 2027", shkroi ai në rrjetin social "Twitter".

Pas këtij postimi, këtë e konfirmoi edhe gazetari më i afërt me Juventusin, Romeo Agersti, që nënvizoi se tashmë është e kryer.

"Siç u konfirmua nga Falk. Juve dhe Bayern kanë gjetur marrëveshjen për De Ligt. Qendërmbrojtësi largohet nga bianconerët pas tre sezoneve", shkroi ky i fundit.

Kartoni i De Ligt kushtoi 80 milionë euro, do nënshkruajë për pesë vite

Siç u njoftua pak më lartë, De Ligt do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare, që do ta mbajë në "Allianz Arena" së paku deri në vitin 2027.

Bayern Munich do të paguajë 80 milionë euro përfshirë bonuset, ofertë që i ka plotësuar kërkesat e "Zonjës së Vjetër".

Ndërkohë, për shërbimet e De Ligt në garë ishte edhe Chelsea, të cilët u larguan pasi lojtari i bëri me dije klubit se do kalimin te gjiganti gjerman.

Kështu "Blutë" e Londrës edhe pse kishin negociuar me Juventusin vendosen për një alternativë tjetër, duke kompletuar nënshkrimin me Kalidou Koulibalyn nga Napoli.

Tre vite te Juventus, tre trofe të fituara

Pas tre vitesh, aventura e De Ligt në fanellën e "Bianconerëve" merr fund përfundimisht.

Nuk mund të thuhet se ishte "për t'u mbajtur mend", pasi një transferim prej 75 milionë eurove, nuk është që gjeti menjëherë vendin në formacionin bazë.

Në sezonin e parë, holandezi qëndroi fillimisht në stol e më vonë mori pozitën e titullarit pranë Leonardo Bonuccin, me Giorgio Chiellinin që kishte probleme të vazhdueshme me lëndime.

Në total për këto tre vite, De Ligt bëri plot 117 paraqitje (10 mijë e 26 minuta) në të gjitha garat duke realizuar tetë gola dhe dhuruar tre asistime.

Gjatë këtyre tre viteve, gjithashtu 22-vjecari fitoi të gjitha trofetë e mundshëm në Itali, pra Seria A, Kupën e Italisë dhe Superkupën e Italisë.

Lajme të ngjashme