Jo vetëm Firmino, edhe dy futbollistë do të largohen nga Liverpooli në verë - NACIONALE

Jo vetëm Firmino, edhe dy futbollistë do të largohen nga Liverpooli në verë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Liverpool pritet në afatin veror të bëjë disa ndryshime drastike në skuadër duke larguar futbollistë, për t'u përforcuar me disa të tjerë.

Sulmuesi Roberto Firmino ka konfirmuar se ka vendosur të largohet nga Liverpooli pas nëntë viteve si agjent i lirë, në mënyrë që të shijojë një aventurë tjetër.

Sidoqoftë, braziliani nuk do të jetë largimi i vetëm nga "Anfield" në afatin veror pasi edhe dyshja mesfushore Naby Keita dhe Alex Oxlade-Chamberlain nuk do të vazhdojnë me skuadrën angleze.

Siç raporton gazetari italian "Fabrizio Romano", Liverpool nuk do ta vazhdojë me dyshen të cilëve u skadon kontrata në verë.

"Jo vetëm Roberto Firmino. Nuk ka bisedime momentalisht mes Liverpoolit dhe Naby Keita për kontratën e re dhe ai mund të largohet në verë si agjent i lirë, se bashku me Oxlade-Chamberlain".

"Arthur Melo, gjithashtu pritet të largohet. Liverpool ka vendosur të mos e aktivizojë klauzolën e blerjes".

Si Keita ashtu edhe Oxlade-Chamberlain asnjëherë nuk arritën të dëshmojnë kualitetin duke pësuar lëndime të njëpasnjëshme që i lënin jashtë fushës për një kohë të gjatë.

Këtë fat të "zi" e ka pasur edhe Arthur, të cilin e huazuan në ditën e fundit të afatit veror, por deri me tani ende nuk ka debutuar shkaku i lëndimit afatgjatë që pësoi.

Liverpool pritet të jetë aktive në afatin e verës, me mesfushorin Jude Bellingham që është dëshira e madhe e trajnerit Jurgen Klopp.

“Reds” janë duke luftuar për një pozitë në top katërshe, ku nesër do të përballen me Manchester Unitedin dhe shpresojnë për një përmbysje të çmendur ndaj Real Madridit që të prekin çerekfinalen e Ligës së Kampionëve.

Lajme të ngjashme