Iu kërkoi mbi 23 mijë euro televizione për “highlights”, Ademi s’pranon kritika: Janë injoranta
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) Agim Ademi i ka quajtur injoranta kritikueset që e kritikuan për vendimin për t’iu kërkuar mbi 23 mijë euro televizioneve për transmetimin e “highlights".
Nacionale para disa ditëve publikoi dokumentin që FFK-ja iu kishte dërguar televizioneve, duke kërkuar 12 mijë e 600 euro për një sekuencë 60 sekondëshe të ndeshjes, ose 23 mijë e 400 euro për atë katër minutëshe.

Ademi ka reaguar tani në një intervistë për “Kosovapress” duke i quajtur injoranta kritikuesit, e njëkohësisht u “justifikua” se këto para shkojnë te klubet.
“Injorantë që nuk e njohin çështjen ose injorantë që duan të flasin keq për federatën mund të flasin gjithçka. Kjo është në tërë botën e njohur, ne deri më tani i kemi lënë pa para, jo që nuk kemi dashur t’ua marrim ose nuk kemi dashur ta bëjmë këtë punë, këto mjete shkojnë të gjitha në klube”.
“Ne këtë vit e kemi një ndryshim tek operatori i blerjes së të drejtave të televizionit dhe sigurisht që ndeshjet ne i organizojmë vet, e xhirojmë vet dhe i paguajmë vet...Ne na kushton 1500 deri 1800 në ndeshje për ta xhiruar dhe nëse e shohim sa sa kemi kërkuar për t’i mbuluar këto, kemi kërkuar një shumë që çdo televizioni, nëse e përpjestojmë me ndeshje i bie 115 euro për një ndeshje dhe të thuhet nuk i kemi ato mjete është marri”.
Ndër të tjera, Ademi propozoi se FFK-ja të bashkëpunojë me mediat, duke i ofruar pajisjet në këmbim të pamjeve së ndeshjeve.
“Ky është produkt i FFK-së dhe nuk kemi kërkuar strikt që të na i japin ato para, por pse nuk mund të na i lirojnë për aq para të televizionit, ose me këto kombit e regjisë, të jenë bashkëpunues me ne dhe më atë kombi do ta na i xhironin aq lojë sa i bie një kompanie televizive pa para dhe ne ua japim pa para sepse nuk janë para që federata i merr për vete, asnjë cent, po e përsëris, asnjë cent, nga të drejtat televizive dhe nga këto momente më të rëndësishme të ndeshjeve që i kemi bërë dhe marrin kaq bujë i marrin të gjitha klubet sepse është produkt i klubeve”.