Italia e Belgjika “pajtohen” me barazim, fiton Franca - NACIONALE

Italia e Belgjika “pajtohen” me barazim, fiton Franca

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Italisë është ndalur në një barazim ndaj Belgjikës, derisa Franca ka triumfuar te Izraeli, në kuadër të Ligës së Kombeve.

“Azzurët” dhe belgët u pajtuan me një barazim 2:2, përballje që ishte shumë interesante.

Qysh në minutën e parë, Andrea Cambiaso kaloi Italinë në epërsi pas një kundërzbritje fantastike (1’).

Italia vazhdoi të dominojë, me Mateo Reteguin që dyfishoi epërsinë pasi u gjend në vendin e duhur duke përfituar nga një top i kthyer (24’).

Sidoqoftë, problemet për italianët nisën pasi Lorenzo Pellegrini u ndëshkua me karton të kuq shkaku i një ndërhyrje (38’).

Vetëm tre minuta më vonë, me një skemë të bukur Belgjika e ngushtoi epërsinë, ku Maxim De Cuyper realizoi me një goditje fantastike nga distanca (42’).

Heroi i Belgjikës ishte Leandro Trossard, i cili përfitoi nga një intervenim i dobët në mbrojtje për ta tundur rrjetën e italianëve (61’).

Italia mbetet lider në grupin 2 me shtatë pikë, derisa Belgjika zë vendin e tretë me katër sosh.

Në anën tjetër, në të njëjtin grup – Franca fitoi në udhëtim te Izraeli me rezultat 1:4.

Edouardo Camavinga me një supergol nga distanca e kaloi Francën në epërsi (7’).

Izraeli u këndell shpejtë përmes Gandelman, që shënoi pas asistimit të Gloukh (24’).

Sidoqoftë, gëzimi i vendasve zgjati katër minuta me Christopher Nkunkun që tundi rrjetën pas asistimit të Camavingas (28’).

Franca vazhdoi të dominojë, duke realizuar edhe dy gola të shpejtë në fund. Guendouzi u përkujdes për golin e tretë pas asistimit të Hernandezit (87’).

Kurse, Barcola e vulosi fitoren pas asistimit të Guendouzit (89’).

Franca tani zë pozitën e dytë me gjashtë pikë derisa Izraeli qëndron në fund pa pikë.

Lajme të ngjashme