Ismet Munishi ende shpreson në titull me Prishtinën pas fitores kundër Dritës
Ismet Munishi ende shpreson dhe beson se ka gjasa për ta udhëhequr Prishtinën drejt titullit në Superligë, pas fitores me përmbysje kundër lideres Dritës të mërkurën në Gjilan.
Prishtina ia arriti ta mundë 2:1 me përmbysje rivalen Drita duke shënuar dy herë brenda dy minutave në çastet e fundit.
Drita - që luajti me 10 futbollistë për shumicën e pjesës së dytë pas përjashtimit të mbrojtësit Rron Broja me karton të kuq - i befasoi vizitorët kur kaloi në epërsi falë golit të Balde në minutën e 83-të.
Por Shefit Shefiti dhe Leutrim Kryeziu nga penalltia shënuan brenda dy minutave në kohën shtesë për ta përmbysur rezultatin dhe për t’ia dhënë kryeqytetasve fitoren e dytë radhazi.
“Ishte një ndeshje e vështirë, pasi Drita është skuadër e mirë, shumë e përgatitur dhe që luan futboll të mirë. Ne luajtëm mirë, luftuam shumë dhe në fund arritëm një fitore të vlefshme”, tha Munishi pas ndeshjes.
“Me angazhimin, përkushtimin dhe luftën që kemi bërë, e kemi merituar fitoren sot”, këmbënguli ai.

Prishtina ngel nëntë pikë mbrapa lideres Drita, që ka 27 në krye, por bardhekaltrit kanë një ndeshje më pak të zhvilluar dhe mund ta ngushtojnë atë në vetëm gjashtë pikë nëse fitojnë ndeshjen e mbetur.
Munishi nuk duket të ketë hequr dorë nga gara për titull ende, megjithëse para saj është edhe kampioni në fuqi, Ballkani, që ka 22 pikë dhe dy ndeshje më pak të zhvilluara se Prishtina.
I pyetur nëse beson në luftë për titull, Munishi nënvizoi: “Është herët, por nëse nuk na ikin skuadrat e kreut dhe nëse përmirësohet loja dhe ekipi gjatë dimrit, mund të kemi shpresa. Shpresat janë gjithmonë”.
Drita ishte në një ecuri të përkryer pa humbje këtë sezon në ligë derisa Prishtina e mposhti në shtëpinë e saj.
Kjo ishte vetëm fitorja e pestë e Munishit këtë edicion prej se e mori drejtimin e Prishtinës, ndërkohë që është mposhtur tri herë dhe ka barazuar tri herë të tjera.
Dy prej këtyre pesë fitoreve vijnë në dy javët e fundit dhe pas tri ndeshjeve pa fitore.
