Ish-ylli i PSG-së del kundër Messit: Mos ia vazhdoni kontratën, është budallallëk
Jerome Rothen i ka bërë thirrje ish-klubit të vet Paris Saint-Germain të mos ia vazhdojë marrëveshjen Lionel Messit, duke këmbëngulur se do të ishte ide shumë e keqe.
Messit i mbaron marrëveshja me PSG-në në verë dhe bisedimet mes tij dhe klubit për vazhdimin e saj kanë filluar tashmë.
Kampioni francez është i vendosur ta mbajë shtatë herë fituesin e Topit të Artë edhe më gjatë në Parkun e Princave, por Rothen beson se 35-vjeçari duhet të lejohet të largohet si lojtar i lirë në verë dhe klubit të mendojë për plane afatgjate.
Rothen, dikur përfaqësues i Francës, i kaloi gjashtë vite ne PSG si futbollist.
“Vazhdimi i kontratës së Messit është budallallëk. T’i menaxhosh këta tre (Messi, Neymar e Mbappe) është gjë e koklavitur. Mbi të gjitha, është fatura e pagave. Ne e kemi parë se PSG-ja ka ngecur me ndershmërinë financiare, për shkak të faturës së madhe të pagave”, tha Rothen për RMC.
“Ata kanë mundësi të kursejnë shumë para nga paga e Messit. Kjo ua mundëson ta përmirësojnë skuadrën me lojtarë të rinj. Për të gjitha këto, vazhdimi i kontratës së Messit është ide shumë e keqe”, shtoi ai.
Rothen e kritikoi ashpër Messin duke e akuzuar se ai nuk po bën asgjë për klubin.
“Nuk e kuptoj pse Messi dëshiron ta vazhdojë aventurën. Ai nuk bën përpjekje për ta çuar klubin përpara. Ai kurrë s’i falënderon tifozët, ai e ul kokën dhe shkon në zhveshtore. Ai nuk dëshiron të investojë më shumë në këtë projekt, prandaj është ide e keqe ta mbash”, nënvizoi ai.
Megjithatë, ai e pranoi se ka qenë gjë pozitive për PSG-në që e ka pasur, siç e quajti ai, lojtarin më të mirë në histori, në klub në dy vitet e fundit, por këmbëngul se është koha ta rindërtohet ekipi me lojtar të rinj dhe me kontrata afatgjate.

