Ish presidenti: Interi më mirë pa dikë si Lukaku
Ish presidenti i Interit, Massimo Moratti ka ‘goditur’ sulmuesin Romelu Lukaku duke treguar se ka mbetur i zhgënjyer nga belgu.
Inter tentoi deri vonë ta mbyllë marrëveshjen me Chelsean për blerjen e Lukakut, por pastaj u zbulua se lojtari kishte negociuar fshehtas me rivalin Juventus.
Kësisoj, “Neurazzurët” u ndjenë të tradhtuar dhe vendosen të largohen përfundimisht nga gara, duke u fokusuar në objektiva të tjerë.
“Duke konsideruar atë çfarë ka thënë dhe premtuar, derisa po fliste me të tjerët, nuk më pëlqeu kjo dhe kuptohet as tifozëve”.
“Mbeta shumë i zhgënjyer nga sjellja e tij. Është më mirë që nuk kemi dikë si ai te Interi, nuk është mënyra si duhet të veprosh”.
Lukaku është duke pritur për Juventusin të arrijnë marrëveshje me Chelsean, në një marrëveshje që pritet të kompletohet për 35-40 milionë euro.
Tutje, Moratti nënvizoi se Interi duhet të luftojë për Serie A dhe edicionin tjetër mund t’ia dalë.
“Duke konsideruar historinë e kubit, Inter duhet të garojë çdo vit për Scudetto, por mendoj se këtë vit mund ta fitojnë titullin”.
“Më duket se gjithçka duhet bërë mirë dhe ta fitojmë. Jemi në nivel të njëjtë me Napolin, por mund të bëjmë më shumë. I besoj Inzaghit, skuadra luan mirë dhe ai është trajner i mirë”.
Inter përfundoi në pozitën e tretë edicionin e kaluar, por do të ishte e katërta nëse Juventusit nuk do t’i hiqeshin 10 pikë shkaku i rregullave financiare.

