Romelu Lukaku arrin marrëveshje personale me Juventusin
Qendërsulmuesi Romelu Lukaku ka arritur marrëveshje personale me Juventusin, duke iu afruar gjithnjë e më shumë largimit nga Chelsea këtë verë.
Klubi italian po shpreson ta blejë sa më parë belgun në një marrëveshje shkëmbimi me Dusan Vlahovic, por njëkohësisht duan që “Blutë” të paguajnë edhe 40 milionë euro.
Chesea ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, ngase po pret përgjigjen e trajnerit Mauricio Pochettino që do të ketë rol kyç në një marrëveshje të mundshme.
Skuadra londineze është duke provuar ta shesë Lukakun që kur u kthye nga huazimi prej Interit, mirëpo që nuk e ka pritur një ofertë të tillë shkëmbimi.
Preferenca e Lukakut deri vonë ishte qëndrimi te Interi, por “Neurazzurët” u larguan nga gara sapo mësuan që belgu ishte në negociata me Juventusin.
Mbështetësit e Juventusit kanë protestuar kundër transferimit të Lukakut, derisa edhe 30-vjeçari së fundmi deklaroi se nuk pret që një marrëveshje e tillë të kompletohet.
Mirëpo, negociatat po vazhdojnë dhe Lukaku do të bëhet lojtar i Juventusit nëse Chelsea në fund e pranon këtë ofertë.
Chelsea e refuzoi Vlahovicin në muajin korrik, por tani janë duke e rikonsideruar si mundësi për të nënshkruar me 23-vjeçarin, që ka regjistruar 23 gola dhe gjashtë asistime në 63 ndeshje për “Zonjën e Vjetër” që kur iu bashkua nga Fiorentina.

