Ish drejtuesi i Federatës Rumune: Ermal Krasniqi tashmë kushton 5 milionë euro
Ish drejtuesi i Federatës Rumune, Dumitru Dragomir thotë se sulmuesi Ermal Krasniqi tashmë kushton rreth 5 milionë euro.
Kosovari po shkëlqen te CFR Cluj duke e fituar pozitën e titullarit brenda një kohe shumë të shkurtër dhe raportohet se është i padiskutueshëm në formacionin bazë të trajnerit.
Cluj e bleu Krasniqin për 300 mijë euro (200 mijë plus 100 mijë bonuse), sidoqoftë sipas Dragomir – vlera e lojtarit tani është 3-4 milionë euro, ndoshta edhe 5.
“Krasniqi është 3-4 milionë euro. Ndoshta afër 5 milionë euro, ai e godet topin fortë me të majtën dhe të djathtën. Është shumë i qëndrueshëm në lojë”.
“Ai nuk bën shumë mirë në anën defensive, bën disa faulla dhe gjëra të tjera”, nënvizoi ai.
Drejtori sportiv i Ballkanit, Nderim Nexhipi për Gazetën Nacionale muajin e kaluar kishte treguar në detaje për shitjen e Krasniqit.
Sipas tij, Ballkani ka bërë një marrëveshje të shkëlqyer pasi lojtarit i skadonte kontrata pas gjashtë muajve, ndërsa përfituan 200 mijë euro, plus do të marrin 100 mijë në rast që Cluj siguron një vend në Ligën e Kampionëve.
Ndërkohë, në anën tjetër Ballkani do të përfitojë edhe 15 për qind sapo Krasniqi të shitet te ndonjë skuadër tjetër.

