Iranianët e festojnë eliminimin e vendit të vet nga Kupa e Botës, vritet një person vetëm pse i ra borisë - NACIONALE

Iranianët e festojnë eliminimin e vendit të vet nga Kupa e Botës, vritet një person vetëm pse i ra borisë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Raportohet se një person është vrarë nga forcat e sigurisë në veri të Iranit derisa protestuesit anti-qeveritarë po e festonin publikisht eliminimin e ekipit të vet kombëtar nga Kupa e Botës të martën mbrëma.

Aktivistët kanë thënë se Mehran Samak u qëllua me plumb në kokë sepse i ra borisë së veturës së vet në Bandar Anzali mbrëmë.

Iranianët në qytetet tjera janë parë duke brohoritur dhe duke vallëzuar nëpër rrugë në video të publikuara në rrjetet sociale.

Shumë iranianë nuk pranuan ta përkrahnin ekipin e vet kombëtar në Katar, sepse e shihnin si përfaqësues të Republikës Islamike.

Mediat e lidhura me pushtetin i fajësuan kundërshtarët brenda dhe jashtë Iranit se i bënë presion të padrejtë lojtarëve pas disfatës 1:0 kundër SHBA-së në ndeshjen e fundit të grupit.

Lojtarët nuk e kënduan himnin para ndeshjes së parë, disfatës 6:2 kundër Anglisë, për të treguar solidaritet me protestuesit.

Por ata e kënduan himnin në ndeshjet me Uellsin, të cilën e fituan 2:0, dhe kundër Shteteve të Bashkuara.

Disa protestues e morën këtë si tradhti ndaj kauzës së tyre, edhe pse raportohej se lojtarët ishin nën presion shumë të madh nga autoritetet iraniane për ta kënduar himnin.

Trazirat në Iran nisën 10 javë më parë, pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini në paraburgim, pasi ishte arrestuar nga policia e moralit në Teheran, për gjoja shkeljen e rregullave të rrepta që iu kërkon grave t’i mbulojnë flokët me hixhab.

Lajme të ngjashme