Interi shënon fitore ndaj Portos, Manchester City ndalet nga Leipzig - NACIONALE

Interi shënon fitore ndaj Portos, Manchester City ndalet nga Leipzig

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy ndeshjet e fundit të përballjeve të para në raundin e 16 më të mirave në Ligën e Kampionëve ka përfunduar sot me dy takimet e zhvilluara, ku Interi shënoi fitore në minutat e fundit ndaj Portos me rezultat 1:0, ndërsa Manchester City u ndal me barazim nga Leipzig.

Në të dy ndeshjet pati paraqitje të mira nga skuadrat respektive, duke mos qenë asnjëra prej tyre inferiore edhe pse Porto e Leipzig u llogaritën inferior në këto takime.

Inter – Porto

Zikaltrit shënuan fitore shumë të mundimshme, fal një goli në minutat e fundit nga sulmuesi belg, Romelu Lukaku, për të shkuar më të lehtësuar në ndeshjen e kthimit, por duhet thënë se Porto e vuri shumë herë në vështirësi skuadrën e Simone Inzaghit.

Madje ishin portugezët që edhe pse nuk e kishin dominimin në ndeshje, patën rastet më të mira për të shënuar, por intervenimet fenomenale të Andre Onanës, shpëtuan Interin disa herë, ndërsa edhe portieri i Portos u shfaq vendimtar në disa raste.

I vetmi gol erdhi në minutën e 86-të të takimit, kur Porto veçse ishte me një lojtar më pak në fushë, pas dy të verdhëve të Otavios.

Lukaku u gjend para portës shumë mirë, duke goditur fillimisht shtyllën e pastaj nga topi i kthyer shënoi për rezultatin përfundimtar 1:0.

Leipzig – Manchester City

Në ndeshjen tjetër të zhvilluar në Red Bull Arena, Leipzig ka treguar një ndeshje mjaft të bukur përball Manchester Cityt, duke e ndalur me barazim 1:1.

Edhe pse qytetarët shënuan të parët, skuadra gjermane sulmoi vazhdimisht deri në barazimin e rezultatit.

City kaloi në epërsi me golin e bukur të Riyad Mahrez në pjesën e parë në minutën e 27-të.

Leipzig shënoi vetëm në minutën e 70-të, me anë të qendërmbrojtësit kroat, Josko Gvardiol, që shënoi edhe fal një dalje të gabuar të portierit Ederson.

Skuadra e Pep Guardiolës ishte skuadra dominuese sa i përket posedimit të topit, por me raste të krijuara në drejtim të portës, të udhëhequrit e Marco Roses rrezikuan më shumë.

Ndeshjet e kthimit të këtyre dy përballjeve do të zhvillohen më 14 mars.

Lajme të ngjashme