Inter refuzon të ulë çmimin për Skriniarin
Drejtori i Paris Saint-Germain, Antero Henrique, është takuar me drejtuesit e Interit dje për të diskutuar për Milan Skriniar, aty ku është bërë e qartë nga zikaltrit se nuk ka ulje të çmimit për sllovakun.
Interi është i gatshëm të shesë një nga qendërmbrojtësit më të mirë të kohëve të fundit, por që për ta bërë këtë duhet një ofertë e mirë, pasi zikaltrit kanë nevojë për para, për ta mbyllur marrëveshjen me yllin e Torinos, Gelson Bremer.
Kontrata e Skriniar me Interin skadon në vitin e ardhshëm, kështu që tani është koha për ta shitur ose për t’ia zgjatur kontratën, që të mos lejojnë që në vitin e ardhshëm një yll si sllovaku të ik pa asnjë përfitim.
Ashtu siç u raportua nga Gianluca Di Marzio, një nga gazetarët më të besueshëm për afatin kalimtar në Itali, Henrique u takua me drejtuesit e Interit për Skriniar, ku parisienët u shfaqën shumë të etur për të siguruar shërbimet e 27-vjeçarit, por për ta bërë këtë duhet ta paguajnë çmimin e plotë që është caktuar nga Interi, me zikaltrit që nuk duan të bëjnë asnjë zbritje në çmim.
#Calciomercato | @Inter, non c'è accordo con il @PSG_inside per #Skriniarhttps://t.co/chk0vTgQq1
— Gianluca Di Marzio (@DiMarzio) July 8, 2022
Sipas të përditshmes italiane, Corriere della Sera, marrëveshja përfundimtare mund të arrihet për 70 milionë euro plus bonuset, që janë të mjaftueshme për milanezët për ta mbyllur marrëveshjen me Bremerin e Torinos.
Milan Skriniar iu bashkua Interit në vitin 2017 nga Sampdoria për 34 milionë euro, dhe që nga atëherë për pesë vite ka 172 paraqitje, ku ka shënuar 10 gola. Ai ka bartur barrën kryesore të mbrojtjes dhe është një nga pikat kyçe të stabilizimit të Interit si skuadër.

