Infantino: Në aeroport ma dhuruan një shpatë shqiptare, Tirana është kryeqytet i botës - NACIONALE

Infantino: Në aeroport ma dhuruan një shpatë shqiptare, Tirana është kryeqytet i botës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, po qëndron për një vizitë zyrtare në Shqipëri, atje ku është duke u pritur nga krerët e institucioneve shtetërore dhe presidenti i FSHF-së, Armando Duka.

Për herë të katërt Infantino vendosi ta vizitojë Shqipërinë. Nga Tirana ai ka dhënë deklaratat e para në kuadër të vizitës që po bën, një ditë para se të zhvendoset në Prishtinë, e që do të jetë hera e parë që do të mbërrijë për t’i takuar zyrtarët e FFK-së dhe ata të nivelit qendror shtetëror.

Gjithsesi, menjëherë ajo çfarë i ka rënë në sy Infantinos nga vizita në Shqipëri ka qenë mikpritja e shqiptarëve, e cila është vënë në spikamë që në aeroport.

“Më bënë dhuratë një pako, nuk e hapa por në aeroport ma hapën ata të sigurisë dhe pashë që brenda ishte një shpatë shqiptare. Më thanë se nuk mund të shkoja në avion me shpatë, por i thashë se ishte një shpatë shqiptare. Jam dhe ndihem shqiptar”, nënvizoi ai.

Ai u shpreh vërtet i lumtur me hapat që po shënon Shqipëria në futboll, duke vurë theksin te përmirësimi i dukshëm infrastrukturor.

“Sot, Tirana është kryeqyteti i botës, të gjithë do ta shohin. Shqipëria ka shënuar përparime të mëdha në infrastrukturë, mund të bëhet edhe më shumë, do të investojmë edhe në fushat e qyteteve të tjera. FIFA i ka shumëfishuar investimet, por do t’i shtatëfishojmë”, nënvizoi ai.

Infantino nuk la pa përmendur edhe çështjen e bastvënies, e cila ishte ndërprerë me ligj në Shqipëri. Sidoqoftë, gjatë muajve të fundit duket se po bëhen disa lëvizje për ta rregulluar sistemin e luajtjes së basteve, që do të shërbejë si një infuzion i rëndësishëm financiar për të mundësuar investime të ndryshme, siç e tha edhe vetë i pari i FIFA-s.

“Tashmë po ecim në një drejtim edhe për bastet, e kemi mbyllur këtë plagë dhe mund të rregullohet tashmë. Falënderoj kryeministrin dhe tashmë të ardhurat nga bastet mund të investohen për futbollin dhe për të rinjtë që merren me këtë sport”, shtoi ai.

Edhe në Kosovë të paktën me ligj bastvëniet janë të ndaluara dhe nuk dihet nëse Infantino do ta hapë këtë çështje gjatë ditës së nesërme me zyrtarët kosovarë, njësoj siç bëri sot me homologët e tyre në Shqipëri.

Në fund, Infantino deklaroi se progresi i bërë nga Shqipëria në këto njëzet vite është evident. Ai nuk la pa përmendur edhe rëndësinë që ka pasur mbajtja e finales të Ligës së Konferencës në Shqipëri, ku Roma ngriti trofeun duke mposhtur Feyenoordin.

"Futbolli në Shqipëri ka një ndryshim të madh, kam ardhur para 20-viteve dhe nisëm të mendonim se çfarë do të bënim, por ajo që shoh nuk është 20 vite më pas, por 2000 vite. Shqipëria është e projektuar drejt së ardhmes dhe stadium është një simbol. Stadium ku u zhvillua finalja e Ligës së Konferencës”, përfundoi ai.

Lajme të ngjashme