Icardi drejt kalimit në Galatasaray, tifozët turq në festë
Mauro Icardi do të jetë përforcimi i radhës i gjigantit turk, Galatasaray. Ai sonte pritet të mbërrijë në aeroportin e Stambollit.
Një lajm i tillë i ka bërë tifozët e klubit përkatës që të entuziazmohen pafund, duke shprehur gëzimin e tyre nëpër rrugët e qytetit dhe me shkrime të ndryshme në rrjetet sociale.
Icardi do të jetë lojtari më i rëndësishëm që Galatasaray ka arritur ta ketë në radhët e veta gjatë këtij afati kalimtari veror.
Sulmuesi argjentinas ka hasur në vështirësi të theksuara në Ligue 1 me fanellën e PSG, për shkak të konkurrencës së madhe që është te skuadra parisiene në repartin sulmues.
Icardi në huazim te Galatasaray
Për Mauro Icardin gjatë mëngjesit të sotëm kanë përfunduar negociatat mes PSG dhe Galatasarayt në lidhje me transferimin që do të formalizohet në orët në vazhdim te klubi turk.
PSG ka lejuar që Icardi të udhëtojë në drejtim të Stambollit për t’i kompletuar testet mjekësore.
Sulmuesi 29-vjeçar argjentinas do të huazohet pa të drejtë blerje. Atij klubi turk do t’ia paguajë 3 milionë euro nga paga vjetore që merrte te PSG, ndërsa 5 milionë euro tjera do të vazhdojë që të paguhen nga klubi kampion francez.
Në marrëveshjen që është arritur mes dy klubeve janë përfshirë edhe disa bonuse sipas gazetarit të mirënjohur italian, Gianluca Di Marzio.
Me t’i kuptuar të gjitha këto detaje, tifozët e Galatasarayt kanë bërë thirrje të ndryshme që të dilet në aeroport për t’i uruar mirëseardhje yllit argjentinas. Tifozët të shumtë i janë përgjigjur pozitivisht kësaj ftese.
Gjatë ditës edhe Milot Rashica është raportuar të jetë shumë afër kalimit te Galatasarayt, por ende burimet e medieve në Angli nuk kanë konfirmuar diçka të tillë.
Sidoqoftë, deri më tani Galatasaray ka shpenzuar 23 milionë euro, duke siguruar shërbimet e lojtarëve më përvojë në shumë raste, siç janë Torreira dhe Mertens. Icardi do të jetë thesar i madh për këtë skuadër.
Në kampionatin turk deri më tani skuadra ka grumbulluar 10 pikë në pesë ndeshje, duke zënë pozitën e 7-të në tabelë.

