Galatasaray me lëvizje të mëdha, zyrtarizon afrimet e Torreira dhe Mertens - NACIONALE

Galatasaray me lëvizje të mëdha, zyrtarizon afrimet e Torreira dhe Mertens

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjiganti turk, Galatasaray, po bëhet gati për një sezon të suksesshëm. Sonte, ata kanë zyrtarizuar dy lojtarë të rëndësishëm në gjirin e vet. Fjala është për Lucas Torreira dhe Dries Mertens.

Futbolli turk mund të mos jetë në deliriumin e vet më të mirë, por sa herë që Galatasaray bën ndonjë blerje në skuadër, atëherë ato bëjnë jehonë - sepse pesha e klubit është e atillë, që ngërthen në vete një mbështetje groteske nga tifozë të panumërt që ka.

Gjatë mbrëmjes së sontme ata zyrtarizuan dy afrime domethënëse, siç janë Torreira dhe Mertens. Kanë mjaftuar këto përforcime, që miliona tifozë të skuadrës turke të ekzaltoheshin.

Që të dy lojtarët nuk u hamendësuan shumë për t'i pranuar ofertat e Galatasarayt, ngase ishin profitabile për ta nga shumë aspekte. Dhe, vetë imazhi i klubit ua ka lehtësuar një vendim të tillë.

Dries Mertens transferohet si lojtar i lirë

Dries Mertens nuk gjeti gjuhën e përbashkët me Napolin për ta rinovuar kontratën. Kësisoj, pas disa muajsh që zgjatën negociatat, ai gjatë javës së kaluar kumtoi divorcin me klubin italian.

I gjendur si lojtar i lirë, atij i mjaftuan pak ditë që ta finalizonte marrëveshjen me Galatasarayn. Sulmuesi 35-vjeç është shumë i lidhur me Napolin. Aq shumë, sa që ka refuzuar një ofertë të rëndësishme të Juventusit.

Te Napoli ai ka luajtur për nëntë vite, ku ka shënuar 113 gola në 295 paraqitje. Së fundi, ka pasur edhe disa nisma në qytetin napoletan, për ta shpërblyer atë me çmimin "qytetar nderi", për krejt atë çfarë ka dhënë për klubin.

Tani, ai me gjigantin turk nga Stambolli ka nënshkruar kontratë një-vjeçare, me mundësi të rinovimit edhe për një vit tjetër.

Sa ka kushtuar transferimi i Torreiras?

Nëse Mertens kaloi me parametra zero te Galatasaray, njëjtë nuk mund të thuhet edhe për Torreiran. Kartoni i mesfushorit defanziv ka kushtuar 7 milionë euro.

Ai hasi në vështirësi të thellë që të ambientohej tek Arsenal dhe në klubet tjera ku u huazua më vonë, si Atletico Madrid dhe Fiorentina.

Galatasaray do të jetë një kapitull i ri për të. Për 26-vjeçarin uruguajas, kjo do të jetë një mundësi e mirë që ta rikthejë formën e tij të dikurshme.

Lajme të ngjashme