I mbijetoi therjes me thikë, ish-lojtari i Arsenalit kthehet në stërvitje
Ish-lojtari i Arsenalit e tani ylli i Monzas, Pablo Mari, është kthyer në stërvitje te skuadra e inkuadruar këtë sezon në Serie A, Monza, pasi dy muaj më parë u përfshi në një incident, ku mbeti i plagosur nga një therje me thikë në një shitore.
Mari, i cili është i huazuar te Monza nga Arsenali, iu desh të operohej në plagën e marrë pas goditjes me thikë pasi ishte një nga viktimat e një goditjeje masive me armë të ftohta në Milano. Megjithatë, ai është rikthyer në stërvitje me bashkëlojtarët e tij në Monza dhe ka ndarë lumturinë e tij në Twitter, duke postuar: "Kthehem me ekipin. Hap pas hapi".

Di nuovo con la squadra 😁
— Pablo Mari Villar (@PabloMV5) December 14, 2022
Step by step 💪 #WorkHard@ACMonza #ACMonza #Monza #Training pic.twitter.com/qzusEsWwvA
Kirurgu që operoi 29-vjeçarin, pas incidentit tha se fitnesi i spanjollit e ndihmoi atë t'i mbijetonte sulmit. "Kirurgjia ishte relativisht e thjeshtë. Fatmirësisht kishte vetëm dy muskuj të dëmtuar," tha Osvaldo Chiara. "Masa muskulare [e Mari] është e tillë që gjatësia e thikës që u përdor nuk mund të kalonte përmes kafazit të kraharorit dhe të godiste mushkëritë e tij", shtoi tutje kirurgu italian.

Nga ky rast, një i dyshuar u arrestua, ndërsa përveç plagosjes së futbollistit, ishin edhe pesë persona tjerë të lënduar e gjithashtu një i vdekur.
Mari do të shpresojë të jetë i aftë për rikthim në ekipin të tij në Serie A, ndërsa ata do të përballen me Fiorentinën më 4 janar, atëherë kur rifillon sezoni, pas pushimit që u ndjek nga Botërori në Katar përgjatë një muaji.

