Pablo Mari thyen heshtjen pasi u ther me thikë në një market në Milan
Huazimi i Arsenalit, Pablo Mari ka falënderuar të gjithë për mbështetjen duke reaguar nga spitali pasi u ther me thikë gjatë një sulmi në një market në Itali, të enjten e kaluar.
29-vjeçari që është huazim te skuadra e Serie A, Monza, ishte duke ecur me gruan dhe djalin në Assago (një lagje në Milan), kur ai dhe pesë të tjerë u sulmua.
Policia e Italisë treguan se një 47-vjeçar që punonte në atë market është vrarë, derisa pesë të tjerë mbeten të plagosur, përfshirë Marin.
Sipas mediumit italian "Corriere della Sera", ish-lojtari i Napolit, Massimo Tarantino ishte ndër ata që mobilizuan dhe çarmatosën sulmuesin përpara se të arrestohej nga policia.
Duke shkruar në Instagram pasditen e së premtes, ai tha: “Pas momentit të vështirë që përjetuam dje, familja ime dhe unë duam të komunikojmë se për fat të gjithë jemi mirë pavarësisht rrethanave.
“Duam të falënderojmë të gjitha mesazhet e mbështetjes dhe dashurisë që po marrim.
“Përveç kësaj, ne dëshirojmë t'i dërgojmë ngushëllimet tona dhe të gjitha forcat tona familjes dhe miqve të personit të ndjerë dhe sinqerisht urojmë që të gjithë të lënduarit të shërohen sa më shpejt”, shkroi ai.
Mari iu nënshtrua një operacioni të premten për të rindërtuar dy muskuj të dëmtuar në shpinë dhe ka të ngjarë të jetë jashtë fushës për të paktën dy muajt e ardhshëm, ndërsa do të qëndrojë në spital për disa ditë.
Shefi ekzekutiv i Monzas, Andrea Galliani e vizitoi Marinë në spital pas sulmit dhe thotë se qendërmbrojtësi nuk ka gjasa të kthehet në fushë para shkurtit, me lëndimet e tij që e pengojnë atë të bëjë ndonjë aktivitet fizik për dy muajt e ardhshëm.
“Kam frikë se do të kalojnë tre muaj përpara se ai të kthehet në fushë pasi ai mund të fillojë stërvitjen vetëm pas dy dhe të bëjë një përpjekje të madhe ndërsa bën përparim”.
“Në aspektin sportiv, për fat të keq do të kalojnë më shumë se dy muaj derisa ai të kthehet në fushë”.
“Ajo që kam kuptuar nga mjeku është se nëse ai nuk do të kishte pasur muskuj të fortë në shpinë, thika ndoshta do të kishte hyrë më thellë dhe ai do të kishte vdekur. Të qenit sportist sigurisht që e ndihmoi atë përsa i përket muskujve të fortë që ndalonin thikën”, tha Galliani për “Sky Italy”.