Historia më e bukur e këtij sezoni në futboll: Foresti, ish kampioni i Evropës, drejt rikthimit në Premier Ligë
Ish kampionët e dyfishtë të Evropës ishin duke rënë nga kategoria e dytë kur ndodhi mrekullia që mund ta kthejë në Premier Ligë.
Niveli më i lartë i futbollit modern po bëhet gjithnjë e më i mërzitshëm marrë parasysh përsëritjen e vazhdueshme të sukseseve të ekipeve të mëdha. Juventusi në Itali e fitoi nëntë vjet rresht titullin. Bayerni në Gjermani po ashtu. PSG-ja në Francë e fiton sa herë t’i teket. E në Angli, lufta bëhet vetëm mes Liverpoolit dhe Man. Cityt. Duket sikur suksesi ose mos-suksesi i një klubi përcaktohet ende pa nisur sezoni, qysh në afatin e transferimeve në verë. Agjentët e lojtarëve në tavolina negociatash duket se luajnë më shumë madje edhe se lojtarët. Megjithatë, poshtë majës së futbollit ka histori fascinuese.
Nëse vitet e kaluara na rrëmbente me futbollin e bukur dhe rezultatet mahnitëse Atalanta, e pastaj edhe Leeds Unitedi, ky vit i takon një ekipi që një herë e një kohë ishte më i forti në Evropë, Nottingham Forestit.
Fillimi tmerrues
Garibaldianët – siç njihen në këtë klub – e nisën sezonin 2021/22 në mënyrë absolutisht tmerruese në kategorinë e dytë të futbollit anglez.
Viteve të kaluara, Foresti e kishte etabluar veten si ekip i mesit të tabelës. Pa shpresa për inkuadrim në Premier Ligë, por si ekip që arrinte me lehtësi të shmangte rënien nga liga.
Sidoqoftë, pas tetë ndeshjeve të para të luajtura të këtij sezoni, Foresti ndodhej në vendin e fundit në tabelën e EFL Championship me vetëm katër pikë në tetë ndeshje. Ata kishin për trajner jofrymëzuesin Chris Hughton, ish trajnerin e skuadrave si Brighton & Hove Albion, Norwich City e Birmingham City.
.jpg)
Kësaj here, duket se ishte e shkruar që ky klub të binte në kategorinë e tretë angleze përkundër protestave të tifozëve.
Asnjë repart në skemën taktike nuk funksiononte, derisa shpresat se të rinjtë e dalë nga akademia të bënin diçka të madhe ishin të vogla. Veçanërisht shqetësues ishte sulmi, me 34 vjeçarin Lewis Grabban që mendohej si udhëheqës, por që prej sezonit të kaluar ishte i papërdorshëm.
Foresti nuk kishte qenë në Premier Ligë prej vitit 1999, dhe rënia do të ishte një goditje e madhe për historinë e saj të pasur.
Mrekullia Cooper
Edhe nëse dikush beson në mrekulli, është e vështirë të mbash atë besim kur sheh një ndeshje të EFL Championshipit. Ato janë ndeshje tepër agresive dhe ku fatit s’i lihet asnjë grimcë hapësire. Lufta është tepër e ashpër mes 24 ekipeve, dhe prandaj shohim ekipe që bien nga Premier Liga derisa turpërohen edhe në këtë ligë.
Pas rezultateve katastrofale të fillimisht, bordi i Forestit dëgjoi tifozët dhe vendosi ta shkarkonte trajnerin Hughton. Në vend të tij, e emëruan një trajner të ri e pa shumë përvojë që në shikim të parë nuk ndjellte frymëzim të madh e nuk jepte shpresë për optimizëm.

Çështja ishte: “të jesh a të mos jesh në Championship”. Përgjigja e së cilës nuk do të vononte.
Në ndeshjen e parë të Steve Cooper si kryetrajner, më 25 shtator 2021, Forest hyri me një skemë tjetër taktike. Ishin tre mbrojtës në qendër, derisa në qendër ishin dy qendërmesfushorë. Luanin kundër Millwall në shtëpi. Dhe ndeshja përfundoi me barazim.
Por, në tri ndeshjet e radhës gjërat do të ndërronin rrënjësisht. Ata do të mposhtnin Barnsleyn dhe Birminghamin si mysafir dhe Blackpoolin në shtëpi.
Deri në muajin nëntor, Forest do ta bënte të qartë se kishte mjaftueshëm forcë për të mbijetuar sërish ndërsa deri në muajin janar do të tregonin se kishin forcë për të bërë diçka më shumë se në dy dekadat e fundit.
Ata po i afroheshin e po i afroheshin Championshipit, me një lojë jashtëzakonisht zbavitëse që i jepte hapësirë të madhe supertalentit Brennan Johnson që ta dëshmonte veten.
Më 6 shkurtit do të ndërronin përfundimisht zaret e fatit. Në FA Cup, Foresti do t’i tregonte mbarë Anglisë se ishin një ekip krejtësisht i transformuar duke e mposhtur kampionin në fuqi, Leicester Cityn e Brendan Rodgersit.
Ish kapiteni dhe legjenda e Anglisë, Alan Shearer, kishte dhënë këtë komentim pas ndeshjes: “Sapo Foresti e dha golin e parë, ishte veç një ekip që do ta fitonte. Kishte tepër shumë lojtarë që performuan mrekullisht, madje edhe zëvendësuesit. Bravo Forest. Bravo Steve Cooper.”
Më pas, Forest do t’i kishte plot tetë ndeshje pa humbje në Championship duke hyrë në zonën e ekipeve të Play-off për herë të parë.
Në çerekfinale të kupës FA atyre iu ra në short Liverpooli. Një gol i vonë i shënuar nga Diogo Jota në minutën e 78 do t’i jepte humbjen dhe lavdinë në garën më të vjetër angleze.
Por, lufta në Championship u bë edhe më e rreptë, e Foresti u bë gjithnjë e më i fortë. Deri në muajin maj, ata siguruan pjesëmarrjen në Play-Off dhe madje në një moment iu afruan edhe hyrjes direkte për në Premier Ligë përmes vendit të dytë.
Play Off-i
Nottingham Forest do ta përfundonte sezonin në vendin e katërt në tabelë, gjë që nënkuptonte se do të ndesheshin me vendin e pestë për të siguruar finalen e Wembleyt.
Ky ekip që ndodhej në vendi ne pestë ishin të frikshëm e Sheffield United, e të cilët konsideroheshin si ekipi më i fortë në ligë.
Në ndeshjen e parë të luajtur në Bramall Lane, Forest fitoi si mysafir 2-1 edhe pse në bazë të rasteve mund të kishte fituar shumë më bindshëm. Përsëri, lojtari kryesor ishte 20 vjeçari Brennan Johnson.
Ndërkohë, në ndeshjen e mbrëmshme që u luajt në City Ground, Foresti edhe pse shënoi e para në fund humbi me rezultat 2-1 për ta çuar ndeshjen në penalti.
Fitorja në penalti i siguron Forestit finalen e Wembleyt, dhe fitorja ndaj Huddersfield Town do t’i garantonte pjesëmarrjen në Premier Ligë në edicionin e ardhshëm.
Historia
Nottingham Forest konsiderohet si një prej ekipeve më të mëdha angleze. Një gjë e tillë nuk vjen për shkak të situatës financiare – e cila është shumë e dobët – por për shkak të historisë në vitet ’70 dhe ’80.
Një prej trajnerëve më të mirë anglezë të të gjitha kohërave, Brian Clough, në mesin e viteve ’70 kishte arritur t’i nxirrte nga lloçi i kategorisë të dytë për t’i bërë kampionë të kategorisë së parë (e njohur sot si Premier Ligë), por më e çmueshmja, edhe kampionë të Evropës dy herë rresht (e njohur sot si Liga e Kampionëve).

Këto suksese të pabesueshme, Foresti i vazhdoi edhe përgjatë gjithë viteve ’80 duke qenë një prej ekipeve më të forta në Angli.
Por, ekipi që duket të jetë i ngjizur në dramë provoi një dramë tragjike në vitin 1993 kur me trajnerin e tyre legjendar, Brian Cloughin që vuante nga alkoolizmi, ranë nga liga duke i lëshuar vend problemeve të shumta financiare.

Nëse ky klub do të rikthehet në lavdinë e dikurshme apo do të vazhdojë të jetë gjigant i fjetur i Anglisë, do ta marrim vesh në ndeshjen e 29 majit në Londër.