Henry shpjegon pse De Bruyne i tha Guardiolës “mbylle gojën” - NACIONALE

Henry shpjegon pse De Bruyne i tha Guardiolës “mbylle gojën”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Manchester City e mposhti me lehtësi Real Madridin të mërkurën për të kaluar në finale të Ligës së Kampionëve, por çfarë ra në sy ishte po ashtu edhe një reagim i ashpër i mesfushorit Kevin de Bruyne ndaj trajnerit Pep Guardiola.

Bernardo Silva shënoi dy gola në pjesën e parë për ta kaluar Cityn në epërsi në Etihad Stadium, para se Eder Militao të shënonte autogol dhe zëvendësuesi Julian Albarez të shënonte në fund për rezultatin e përgjithshëm 5:1 për skuadrën e Pep Guardiolës pas dy ndeshjeve.

City e mbizotëroi Realin plotësisht gjatë gjithë ndeshjes dhe kalimi në finale nuk ishte asnjëherë në dyshim, por trajneri Guardiola e humbi durimin me mesfushorin e vet kryesor De Bruyne në një çast gjatë pjesës së dytë.

De Bruyne nuk e priti mirë reagimin e trajnerit dhe u dëgjua duke bërtitur “mbylle gojën, mbylle gojën” në drejtim të stolit të Cityt.

Ish-trajneri i Belgjikës, Thierry Henry – që ishte në stadium si analist për CBS Sports – tregoi se De Bruynen e kishin kapluar emocionet kur iu drejtua ashtu trajnerit të vet.

Ishte një çast (prekës). Nuk mund ta them çfarë folëm sepse është diçka private. Por nga ajo çfarë më tha ai mua, unë e respektoj edhe më shumë mënyrën se si ai luajti dhe se si erdhi dhe luftoi me ekipin e vet”, tha Henry.

Henry kishte biseduar me De Burynen pas përfundimit të ndeshjes, por nuk tregoi për çfarë.

“Nuk mund të zbuloj çfarë më tha ai. Por po e them prapë, për mua ai është lojtari më i rëndësishëm në këtë ekip”.

Ndërkohë, i pyetur pas ndeshjes për reagimin e ashpër ndaj De Bruynes, Pep Guardiola kishte thënë: “Ne u ngutëm shumë pasi kaluam 2:0 në epërsi. Menjëherë në fillim të pjesës së dytë, Gundogan e humbi një top, Kevin i bëri tri pasime përpara që nuk ishin të nevojshme dhe ne u ngutëm shumë kur duhej ta bënim të kundërtën”.

Guardiola e ka vënë në pikëpyetje kontributin e De Bruynes në kauzën e Cityt kohë pas kohe këtë sezon, por mesfushori 31-vjeçar mbetet pjesë kyçe e skuadrës në kërkim të fitimit të trofeve në Premierligë, Ligën e Kampionëve dhe FA Cup.

Kampioni anglez tani do të përballet me Interin në finalen e Stambollit më 10 qershor.

Lajme të ngjashme