“Mbylle gojën” – Mësohet arsyeja e grindjes mes De Bruyne dhe Guardiolës gjatë fitores kundër Realit - NACIONALE

“Mbylle gojën” – Mësohet arsyeja e grindjes mes De Bruyne dhe Guardiolës gjatë fitores kundër Realit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Manchester City e mposhti me lehtësi Real Madridin të mërkurën për të kaluar në finale të Ligës së Kampionëve, por Kevin de Bruyne dhe Pep Guardiola fjalosën për një çast gjatë ndeshjes.

Bernardo Silva shënoi dy gola në pjesën e parë për ta kaluar Cityn në epërsi në Etihad Stadium, para se Eder Militao të shënonte autogol dhe zëvendësuesi Julian Albarez të shënonte në fund për rezultatin e përgjithshëm 5:1 për skuadrën e Pep Guardiolës pas dy ndeshjeve.

Kampioni anglez tani do të përballet me Interin në finalen e Stambollit më 10 qershor.

City e mbizotëroi Realin plotësisht gjatë gjithë ndeshjes dhe kalimi në finale nuk ishte asnjëherë në dyshim, por trajneri Guardiola e humbi durimin me mesfushorin e vet kryesor De Bruyne në një çast gjatë pjesës së dytë.

De Bruyne nuk e priti mirë reagimin e trajnerit dhe u dëgjua duke bërtitur “mbylle gojën, mbylle gojën” në drejtim të stolit të Cityt.

I pyetur pas ndeshjes për reagimin e ashpër ndaj De Bruynes, Pep Guardiola tha pas ndeshjes: “Ne u ngutëm shumë pasi kaluam 2:0 në epërsi. Menjëherë në fillim të pjesës së dytë, Gundogan e humbi një top, Kevin i bëri tri pasime përpara që nuk ishin të nevojshme dhe ne u ngutëm shumë kur duhej ta bënim të kundërtën”.

Guardiola e ka vënë në pikëpyetje kontributin e De Bruynes në kauzën e Cityt kohë pas kohe këtë sezon, por mesfushori 31-vjeçar mbetet pjesë kyçe e skuadrës në kërkim të fitimit të trofeve në Premierligë, Ligën e Kampionëve dhe FA Cup.

Lajme të ngjashme