Handanovic pas rinovimit të kontratës: Kush luan në Inter, gjithmonë mision e ka të fitojë - NACIONALE

Handanovic pas rinovimit të kontratës: Kush luan në Inter, gjithmonë mision e ka të fitojë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Janë bërë dhjetë vjet qëkur Handanovic është pjesë e Interit. Dy palët kanë vendosur që ta vazhdojnë bashkëpunimin edhe për një sezon tjetër.

Portieri slloven, Samir Handanovic, ka qenë prej goditjeve të vetme të qëlluara nga Interi i pas-tripletës. Largimi i Julio Cesar dhe afrimi i Handanovic nga Udinese, nuk është se i ka lënë zemërthyer tifozët e Interit, pasi Handanovic është treguar portieri i nivelit të lartë, duke qenë në mesin e portierëve më të mirë në qarkullim e për disa vite edhe në Serie A.

Sido që të jetë, mosha e bën të vetën. Si 37-vjeç, Handanovic ndoshta nuk është në përgatitjen më të mirë fizike apo edhe reflekset në pritje nuk janë më të njëjta sikur ato që i kishte dikur. Mirëpo, për Interin vijon të jetë një portier dhe kapiten i çmuar dhe për këtë arsye e ka vlerësuar të dobishëm për t'ia vazhduar kontratën edhe për një vit.

Pas rinovimit të kontratës, portieri slloven ka dhënë edhe deklaratat e para, duke shpjeguar të gjithë ndjesitë që po i përjeton pas këtij akti.



"Para dhjetë vjetësh kam ardhë në një klub të madh dhe jam akoma në një klub të madh. Jam shumë i lumtur të jem kapiten dhe lojtar i Interit. Ky është njëmend një privilegj në vete.

"Kush luan në Inter, siç e tregon historia, gjithmonë mision e ka të fitojë. Ne gjendemi këtu për këtë arsye dhe këtë mentalitet përpiqemi t'ua tregojmë edhe të rinjve që vijnë.

"Personalisht në këto dhjetë vjet jam rritur qoftë si lojtar, apo edhe si njeri. Kanë ndryshuar shumë gjëra sa i përket lojtarëve, trajnerëve dhe klubit - por ajo që ka rëndësi është se Inter gjithmonë ka shkuar duke u përmirësuar. Jemi përmirësuar në raport me dhjetë vjet më parë dhe duhet të vazhdojmë kështu"
, përfundoi Handanovic.



Sezoni i ri në Serie A fillon në gjysmën e muajit gusht, më herët sesa që fillonte zakonisht, për arsye që dihen, e që kanë të bëjnë me fillimin e Botërorit në nëntor.

Lajme të ngjashme