Haaland: Mezi pres t'i shënoj Man Unitedit, zgjodha Cityn shkaku i Pep Guardiolas
Haaland: Mezi pres t'i shënoj Man Unitedit, zgjodha Cityn shkaku i Pep Guardiolas
Sulmuesi Erling Haaland thotë se mezi pres të shënojë ndaj rivalit lokal Manchester United, derisa tregoi arsyen pse vendosi të transferohej te Manchester City.
"Qytetarët" paguan klauzolën e blerjes së norvegjezit, i cili ka nënshkruar kontratë për katër vite.
22-vjecari fillimisht tregoi se mezi pret t'i shënojë gol rivalit lokal, Man Utd.
"Nuk dua as t'i them fjalët... Manchester United".
I pyetur se pse zgjodhi Cityn, Haaland kujtoi ndeshjen kur ishte pjesë e Borussia Dortmund, duke deklaruar se për 25 minuta nuk e preku fare topin.
"Kam shikuar Cityn që kur Pep Guardiola mori drejtimin në vitin 2016, prandaj e di mënyrën se si luajnë. Luajta ndaj tyre në Ligën e Kampionëve vitin e kaluar".
"Kur sheh diçka në televizion dhe kur ke përball është komplet diçka ndryshe. Nuk e preka topin për 25 minuta dhe mendoja 'Gundogan të lutem ndalo së luajturi tiki-taka'".
"Është nivel ndryshe se si luajnë dhe është diçka që dua të jem pjesë e saj. Kisha ndjenjën se doja të luaja për Cityn".
Haaland gjithashtu zbuloi se ka edhe një koleksion me fanellën e Sergio Agueros me numër 10.
"Sigurisht që e admiroj, është legjendë, një ndër lojtarët më të mirë në histori që ka luajtur në Premierligë".
"Më kujtohen shumë gola, sidomos 93.20 ndaj QPR, por ka shumë tjerë".
Tutje, Haaland deklaroi se do të mundohet të shijojë cdo moment dhe është gati të jep gjithçka.
"Është sfidë e madhe, është shtet, ligë, trajner i ri dhe gjithçka më ndryshe. Por, e di si është të vish në këtë klub, e kam bërë disa herë më parë. Jam duke shikuar vërtet përpara".
"Siç kam bërë tërë karrierën time, do mundohem të shijoj cdo minutë, moment dhe të mos mendoj shumë. Të mendosh shumë nuk është mirë për asnjë person. Provoj të qetësohem dhe të punoj sa më fortë".
Haaland arrin te Man City me një statistikë të shkëlqyeshme, duke pasur 113 gola në 156 ndeshje në ligë.
Në fund, qendërsulmuesi beson se mund të përmirësohet dhe sheh një potencial të madh te "Qytetarët".
"Mund të përmirësohem në çdo vend, me kokë, në gjuajtjet, këmbën e majtë, këmbën e djathtë, në lëvizje me top dhe pa top".
"Ka shumë lojtarë të mirë këtu, me potencial të madh. City është fitues i Premierligës dhe ka shumë potencial. Jam vërtet i emocionuar".