Guardiola: Nuk jam i brengosur për Haaland, herën tjetër do të shënojë
Manchester City shënoi disfatë kundër Liverpool me rezultat 3:1 në finalen e Superkupës së Anglisë. Njëri prej lojtarëve që dëshpëroi më së shumti ishte Haaland, por për Guardiolan s'ka vend për shqetësim.
E deshi me çdo kusht në skuadër Haalandin dhe drejtuesit e klubit ia plotësuan dëshirën. Sot, nuk ishte një paraqitje e lavdishme nga ana e sulmuesit norvegjez.
Siç ndodh zakonisht për lojtarët që transferohen me bujë në skuadra konkuruese, njësoj siç është rasti i Haaland te Manchester City - nuk mjaftuan kritikan në drejtim të 22-vjeçarit pas mbarimit të finales së sotme, meqë ai humbi disa raste shënimi.
S'ka kuptim që të vihen në dyshim aftësitë e Haaland, kur të njëjtat ai i ka dëshmuar në plot tre sezone me Dortmund dhe më herët te Salzburg në Austri. Mirëpo, edhe kjo është pjesë e jetës së futbollistëve: glorifikimi pas golave të ndryshme ose linçimi pas ndonjë paraqitjeje të mangët apo zhgënjyese.
Guardiola i lumtur me paraqitjen e lojtarëve dhe optimist se golat e Haaland do të vijnë
Trajneri katalonas, Pep Guardiola, pavarësisht se skuadra e tij shënoi humbje, tregoi se ka ngelur i kënaqur me atë çfarë ka parë nga lojtarët.
"U thashë lojtarëve se sa shumë isha krenar me ta, pasi dhanë gjithçka nga vetja. Kemi nevojë për kohë që ta fitojmë ritmin tonë dhe ta arrijmë këtë gjë", shtoi ai.
Pep Guardiola nuk është i brengosur për rastet e shënimit të golave që shpërdoroi Haaland.
"Sa i përket Haaland, ka pasur disa raste shënimi. Dy ose tri në pjesë të parë dhe një në fund. Ka luftuar shumë. Ka bërë lëvizje të mira. Nuk shënoi, por ishte i pranishëm në aksionet e skuadrës. Herën tjetër do të shënojë", potencoi Guardiola.
Trajneri 51-vjeçar theksoi se tipari më i veçantë i Haaland si lojtar është shënimi i golit dhe ai do t'ia dalë që të zhbllokohet, duke mbrojtur kësisoj qendërsulmuesin e tij nga kritikat.
"Posedon një cilësi të jashtëzakonshme nga ky aspekt dhe do t'ia dalë. Nuk jam i brengosur. E vërteta është se sezoni është i gjatë prej 11 muajsh të ngjeshur, me ndeshje çdo tre ditë. Ai do të na ndihmojë nga ky aspekt", përfundoi Guardiola.
Këto përgjigje të Guardiolas vijnë pasi shtypi britanik e ka vlerësuar negativisht Haalandin, ngase pritshmëritë rreth tij janë të mëdha. Javën e ardhshme fillon edicioni i ri i Premierligës dhe sulmuesi 22-vjeçar do ta ketë të gjithë hapësirën e nevojshme për ta arsyetuar në plotni investimin e skuadrës kampione në fuqi angleze për të.

