Pamje: Haaland zhgënjen kundër Liverpool, shpërdoron raste të arta shënimi - NACIONALE

Pamje: Haaland zhgënjen kundër Liverpool, shpërdoron raste të arta shënimi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Padyshim se Erling Haaland mbetet prej sulmuesve më të spikatur në qarkullim. Sidoqoftë, i tillë nuk u tregua në finalen e sotme të Superkupës së Anglisë.

Sot, sulmuesi norvegjez, Erling Haaland, pati shumë vështirësi që të jepte më të mirën e tij kundër Liverpoolit. Thjesht, nuk ishte dita e tij.

Aftësitë e Haaland nuk diskutohen. Një paraqitje jo e denjë nuk i delegjitimon cilësitë e tij. Mirëpo, dueli i shumëpritur, kundër Liverpool, bëri që ai të dilte keq në sytë e publikut, pasi humbi raste të volitshme për gol.

Një ditë për t'u harruar nga Haaland

Rastin e parë në ndeshje për skuadrën e Pep Guardiolas e pati Haaland në minutën e 34-të, kur nuk arriti dot që ta devijojë topin në portë, pasi zgjati këmbën. Sulmuesi norvegjez u pa tejet i dëshpëruar pas përfundimit të aksionit, meqë e dëshironte shumë shënimin e golit.

Gjithsesi, nga ky moment ndryshoi edhe loja, me kampionin në fuqi të Premierligës që filloi ta vënte diktatin e tij të zakonshëm në fushë, edhe pse pjesa e parë u mbyll me rezultat 1:0 në të mirë të Liverpool. Pjesa e dytë foli në të mirë të skuadrës së drejtuar nga Klopp, pasi ishte më efikase, duke ngadhënjyer në fund me rezultat 3:1.

Haaland përgjithësisht u pa të ishte i margjinalizuar në lojë, pa u vu në pozitë të atillë që të kishte kontakt të shpeshtë me topin. Mbulimi nga Van Dijk ishte në suaza të përsosshmërisë, ku gjiganti i mbrojtjes së Liverpool u tregua i vëmendshëm, duke i fituar kryesisht duelet ndaj Haaland.

Haaland vazhdoi me huqje, duke dëshmuar se nuk ishte as për së afërmi në elementin e tij siç jemi mësuar ta shohim.

Pasi Liverpool e konsolidoi epërsinë në 3:1 me Nunez, sulmuesi norvegjez sërish u vë në një pozitë të lakmueshme shënimi. Prapë zhgënjeu, duke përplasur topin në shtyllën e lartë nga një distancë e shkurtër.

Pas këtij shpërdorimi të rastit për gol, ai shkrepi një buzëqeshje ironike, sa për të treguar edhe një lloj indinjate ndaj vetvetës për huqjet që ishte duke i bërë.

Haaland pikë referimi për sulmin e Manchester Cityt

Në çdo rast, edhe pse sot nuk ia doli ta shfaqte potencialin e tij, diçka të tillë pritet ta bëjë gjatë sezonit në vijim. Manchester City e ka blerë atë nga Borussia Dortmund për një shifër të konsiderueshme parash, gjegjësisht prej 75 milionë eurosh.

Një çmim i përligjur, nëse kemi parasysh atë çfarë ka treguar me Borussia Dortmund ylli i ri nordik. Me skuadrën gjermane, në 89 paraqitje ka shënuar 86 gola, çka paraqesin shifra monstruoze. Pikërisht ato i kanë bindur drejtuesit e Manchester Cityt që të investojnë tek ai.

Me Gabriel Jesus që i është bashkuar Arsenalit, ai do të jetë opsioni i parë dhe i vetëm konkret i Guardiolas si pikë referimi për qendrën e sulmit.

Lajme të ngjashme