“Pep është i çmendur” – Haaland e parashikon jetën nën urdhrat e Guardiolës - NACIONALE

“Pep është i çmendur” – Haaland e parashikon jetën nën urdhrat e Guardiolës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Erling Haaland e ka përshkruar Pep Guardiolën si trajner “paksa të çmendur”, duke parashikuar se jeta nën urdhrat e tij në Manchester City do të jetë argëtuese.

Sulmuesi norvegjez ndihet i lumtur pasi shënoi gol vetëm 12 minuta pas debutimit për kampionin e Anglisë, në fitoren kundër Bayern Munich në një ndeshje miqësore në fundjavë.

Ai është i etur ta vazhdojë përshtatjen me mjedisin e ri dhe mezi pret për fillimin e sezonit 2022/23.

Duke folur në një intervistë pas ndeshjes me Bayernin, Haaland – i cili i kushtoi të kaltërve rreth 55 milionë euro këtë verë – foli për përshtypjet e para për trajnerin spanjoll.

“Guardiola është paksa i çmendur dhe më pëlqen kjo. Pra, do të jetë shumë mirë. Ka kaluar vetëm një javë, prandaj nuk mund të flas shumë, por jam duke u stërvitur mirë dhe i gatshëm për atë që na pret”, tha Haaland.

I pyetur rreth paraqitjes së parë në fanellën e Manchester City, 22-vjeçari tha: “Siç mund ta dini të gjithë, i kam shikuar shumë ndeshje të Cityt në vitet e fundit dhe në vitin e fundit ka qenë pa sulmues, prandaj natyrisht e kam parë veten në këto situata sot, pra nuk habitëm”.

Goli i Haalandit, që ia fitoi miqësoren Cityt kundër Bayernit, u asistua nga Jack Grealish, i cili e përshkroi ish-sulmuesin e Dortmundit si djalosh shumë të mirë.

Bashkërendimi i lojës me Grealish ka qenë një tjetër anë pozitive për integrimin e Haalandit në skuadrën e City.

“Ai është i mirë. Duhet të bëhet edhe më i mirë, edhe unë duhet të bëhem edhe më i mirë. Po lidhemi mirë mes vete”, tha Haaland për Grealish.

Manchester City do të rikthehet në Angli tani për përballjen me Liverpoolin në finale të Community Shield, e cila zhvillohet më 30 korrik, dhe do të shërbejë si ndeshje hapëse e sezonit të ri në futbollin anglez.

Ndërsa, tetë ditë më vonë, skuadra e Guardiolës do ta nisë mbrojtjen e titullit në Premierligë me përballjen me West Hamin në udhëtim.

Lajme të ngjashme