Guardiola: Më lehtë për Manchester Cityn ta mbrojë titullin e Ligës së Kampionëve
Shanset e Manchester Cityt për ta mbrojtur titullin e Ligës së Kampionëve do të jenë më të mëdha, tha trajneri i ‘Qytetarëve’ Pep Guardiola në konferencën për shtyp dje.
Skuadra angleze triumfoi sezonin e kaluar në finalen e Stambollit ndaj Interit me rezultat 1:0, për ta fituar garën më të fortë për klube për herë të parë në histori, kështu duke i dhënë fund viteve zhgënjyese në Evropë.
I pyetur për shanset që skuadra e tij ta mbrojë titullin kampion, para ndeshjes së parë të grupit G kundër Red Star Belgrade, Guardiola tha: “Do të jetë më lehtë. Më e vështira është ta fitosh për herë të parë. Ishte diçka e jashtëzakonshme për ne, por është vetëm një titull.”

Sidoqoftë, Guardiola iu ka thënë lojtarëve të tij, që të mos e marrin këtë fakt si të mirëqenë, duke shtuar: “Nesër është hapi i parë, do të tentojmë t’i marrim pikët e plota. E rëndësishme është që lojtarët të mos ndihen të relaksuar. Për ne të fitosh Ligën e Kampionëve është diçka e jashtëzakonshme, por në perspektiven se sa klube e kanë fituar këtë garë? Shumë prej tyre. Nuk kemi bërë diçka speciale me vetëm një titull, por ne jemi jashtëzakonisht krenarë.”
Skuadra e trajnerit spanjoll sot do ta zhvillojë ndeshjen e parë të sezonit 2023/24 të Ligës së Kampionëve ndaj Red Star Belgrade me fillim nga ora 21:00, por që ‘Qytetarët’ nuk mund të llogarisin në tre lojtarë: Mateo Kovacic, Jack Grealish dhe John Stones, siç e konfirmoi Guardiola në konferencën për shtyp dje.