Grealish flet për vështirësitë te Manchester City: Mendova se do të shënoja më shumë
Ylli i Manchester Cityt, Jack Grealish, e ka pranuar se jeta e tij u bë shumë e vështirë te qytetarët dhe nuk i doli ashtu siç priste ai, pra ambientim të shpejtë, duke shënuar dhe asistuar më shpesh.
Reprezentuesi anglez u bë lojtari më i shtrenjtë në futbollin britanik kur kompletoi një transferim rekord prej 118 milionë eurosh në Etihad Stadium nga Aston Villa në verën e vitit 2021.
Ai ka regjistruar shtatë gola dhe po aq asistime në 59 paraqitje që nga ajo kohë – me kontributin e tij të fundit në ndeshjen e djeshme, ku asistoi për golin e vetëm të ndeshjes që u shënua nga Riyad Mahrez kundër Chelseat në Stamford Bridge – por më shumë pritej nga 27-vjeçari pas mbërritjes së tij në Etihad Stadium.

Grealish për Sky Sports tha se pati vështirësi në përshtatjen e tij me jetën në City: “Kur erdha këtu, do të jem i sinqertë me ju, ishte shumë më e vështirë nga sa mendoja. Në kokën time mendova se do të shkoja te skuadra që ishte në krye të ligës dhe do të shënoja kaq shumë gola dhe asistime dhe padyshim që nuk është kështu. Shumë prej skuadrave aplikojnë lojë defensive kundër nesh dhe ky nuk ishte rasti te Villa”.

Ai shtoi: “[Ish-trajneri i Aston Villas] Dean Smith do të më thoshte të shkoja dhe të gjeja pikën e dobët në mbrojtje, nëse ajo ishte në të djathtë, në mes apo nëse doja të sulmoja në zonën e rrezikshme - dhe te Villa, unë gjithmonë kisha një mbrojtës të krahut të vendosur krahë meje. Erdha në City, duke qenë gjatë gjithë jetës time në Villa dhe nuk më është dashur kurrë të ndryshoj. Unë gjithmonë jam mësuar me këtë. Nuk e kuptova se sa e vështirë është të përshtatesh me një ekip dhe trajner tjetër.”

Grealish ka startuar vetëm tetë nga 17 ndeshjet e Cityt në Premierligë këtë sezon, pasi ai përballet me konkurrencë për vendin në 11-she me lojtarë si Mahrez, Phil Foden, Bernardo Silva dhe Julian Alvarez – dhe gjithashtu pesë paraqitjet e tij në Kupën e Botës në Katar 2022 erdhën nga stoli.
Grealish do të shpresojë të jetë i dukshëm për Cityn gjatë pjesës së mbetur të sezonit 2022-23, me skuadrën e Pep Guardiolës ende në kërkim të kreut të tabelës, ndërsa janë në garë edhe në Carabao Cup, FA Cup dhe Ligë të Kampionëve.

