Granit Xhaka thotë se kanë besim në përballjen ndaj Anglisë, flet edhe për mundësinë e fitimit të Topit të Artë
Mesfushori Granit Xhaka thotë se Zvicra ka besim për të avancuar edhe më tutje në Kampionatin Evropian “Euro 2024”, pavarësisht se do të përballen me Anglinë në çerekfinale.
Pasi eliminuan Italinë, “Helvetikët” i pret një tjetër sfidë e vështirë – këtë herë me Anglinë, që kishte vështirësi të mëdha ndaj Sllovakisë.
Në një intervistë të gjatë për “20min”, Xhaka ka komentuar përballjen ndaj Anglisë si dhe spekulimet se është kandidat për ta fituar Topin e Artë.
“Për t’u krahasuar me kombëtaret e tjera, Anglia ka shumë lojtarë që vijnë nga liga e tyre kryesore. Kjo i bën ata të veçantë, ngase kam luajtur me shumë prej tyre gjatë kohës në Premierligë. Sidoqoftë, është një fazë e eliminimit njësoi si tjerat. Kemi besim dhe do të fokusohemi te fuqia jonë pavarësisht se kush është kundërshtari”.
“Topi i Artë? Gjithmonë kam thënë se aftësitë e mia duhet gjykuar nga të tjerët. Kur njerëzit papritur flasin për Topin e Artë, padyshim është gëzim. Por, ju gazetarët gjithmonë keni diçka për të shkruar (qesh).
“Padyshim nuk do të zhgënjehem për shkak të kësaj. Jam i fokusuar vetëm këtu dhe kjo nënkupton në Kampionatin Evropian për çerekfinalen ndaj Anglisë. Do të jap gjithçka në fushë si gjithmonë dhe do të përpiqem ta ndihmoj ekipin sa më mirë që mundem, sepse vetëm si ekip mund të arrijmë diçka historike”.
Përndryshe, përballja mes Anglisë dhe Zvicrës zhvillohet të shtunën.