Granit Xhaka shpërndan video paragjykuese për djalin e nënës së dhunuar nga infermieret - NACIONALE

Granit Xhaka shpërndan video paragjykuese për djalin e nënës së dhunuar nga infermieret

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Granit Xhaka e ka shpërndarë një video e cila duket se e paragjykon djalin e një të moshuarve të rrahur nga infermieret në një shtëpi pleqsh në Pejë, në një seri reagimesh mllefi ndaj dhunës së ushtruar ndaj saj.

Futbollisti nga Kosova, i cili luan për klubin anglez Arsenal dhe për Kombëtaren e Zvicrës, e dënoi dhunën që një infermiere e ushtroi ndaj të moshuarës Minire Nura në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë.

Por mesfushori 30-vjeçar e publikoi në Instagram edhe një video ku një person shihet dhe dëgjohet duke e paragjykuar të birin e Minirës për vendimin e tij për ta dërguar të ëmën në një shtëpi pleqsh.

Minirja është nënë e dy djemve, një dëshmori të vrarë në luftën e fundit në Kosovë dhe një djali tjetër që jeton në Belgjikë. Ajo e ka edhe një vajzë të martuar në Kosovë.

“Për cilat shërbime je i kënaqur ti? A po tutesh t’i që po ta kthejnë nanën të shpija tash? Çfarë djali je ti, çfarë prindi mund të jesh nesër ti, o njeri, kur së pari nënën e çon në dom të pleqve. Ky është gabimi i parë që nuk falet. E dyta, po ta dhunon nënën, një shqiptari është prekur nga kjo, e ti del i thua këto fjalë a? Zoti të marroftë bre, turp duhet m’të ardh ty!”

Asnjë nga personat që shihen në videon e shpërndarë nga Xhaka nuk është biri i Minirës.

Minire Nura, e cila vuan nga sëmundja Alzhemeiri, është tërhequr nga shtëpia e pleqve dje dhe raportohet se ajo është në gjendje të keqe shpirtërore.

Tri infermiere janë arrestuar për ushtrimin e dhunës ndaj saj pas publikimit të një videoje ku njëra prej tyre shihet duke e rrahur me shpulla.

Infermieret e përfshira në këtë rast janë përjashtuar nga puna po ashtu, ka konfirmuar pronari i qendrës Anton Rasaj.

Rasaj ka thënë se këto zhvillime e kanë lënë pafjalë dhe plot mllef.

“Kursimet e fituara jashtë vendit me familje, vendosëm t’i investojmë në familje. Kemi punësuar personal dhe punësuam bashkatdhetarë. U kujdesëm që të ketë maksimalisht sjellje profesionale nga personeli në qendrën tonë. Situata në fjalë, na ka lënë pa fjalë dhe plot mllef”, ka thënë ai.

Tutje, pronari i kësaj qendre ka thënë se ngjarja e dhunshme i ka lënduar shumë dhe se infermieret në fjalë, janë larguar nga puna.

“Na janë besuar prindër dhe familjarë, për çka ngjarja sot na ka lënduar sumë sa nuk gjejmë fjalë që të shprehim këtë ndjenjë. Nuk kam fjalë që të përshkruaj si jam ndjerë kur e kam parë sjelljen e infermieres. Ju njoftoj, se menjëherë kam larguar nga puna personelin në fjalë”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme