Granit Xhaka po përdor dështimin e Arsenalit për të inspiruar Leverkusenin që ta fitojë titullin
Mesfushori Granit Xhaka thotë se është duke përdorur dështimin e Arsenalit në Premierligë për t’iu rikujtuar bashkëlojtarëve të Bayer Leverkusenit që ende s'janë kampion i Gjermanisë.
Sezonin e kaluar, Xhaka ishte afër ta fitonte trofeun e Premierligës me Arsenalin por dështuan krejt në fund, derisa këtë sezon ka qenë mahnitës te gjiganti gjerman.
Duke qenë ende të pamposhtur në Gjermani, Leverkusen është lider i padiskutueshëm në Bundesliga, 10 pikë mbi Bayern Munichun.
Sidoqoftë, Xhaka është duke iu rikujtuar bashkëlojtarëve atë që i ndodhi sa ishte pjesë e Arsenalit që të vazhdojnë ta mbajnë avantazhin në kampionatin gjerman.
“Është mirë dhe mund të jemi krenar, por s’kemi fituar asgjë. Po flas nga eksperienca që kisha sezonin e kaluar. Ishim ngjashëm me pikë në krahasim me vendin e dytë dhe nuk e fituam ligën”.
“E di këtë eksperiencë, po e ndaj në dhomën e zhveshjes. Gjithashtu 10 pikë janë shumë në futboll, sigurisht kur ke vetëm 10 ndeshje të mbetura”.
“Por, kur ke 10 pikë para dhe plot 30 që mund t’i marrësh, nuk ka përfunduar”, deklaroi ai për "ESPN".
I pyetur se nëse po i paralajmëron bashkëlojtarët, Xhaka u përgjigj: “Gjithmonë sepse ata më pyesin çdo ditë “Ti ke qenë në këtë situatë... si ishte dhe çfarë ndodhi?”.
“Mundohem ta shpjegoj, por nuk mund ta shpjegosh me fjalë. Duhet ta ndjesh. Të jemi të qetë, të punojmë ditë pas dite siç kemi bërë tërë sezonin, të kalkulojmë dhe të shohim se ku jemi pas 34 ndeshjeve”.